Mbahen garat e motokrosave në Gjilan

Gjilan- Në Komunën e Gjilanit sot janë organizuar garat me motokros në tri nivele të garimit dhe me rreth 40 garues të cilët ishin nga Kosova, Tetova, Zvicra, Gjermania dhe nga rajoni.
Kjo është organizuar nga “MC 06” (motokros Gjilanit) dhe të mbështetur nga Komuna e Gjilanit, respektivisht drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, ndërsa të pranishëm ishin edhe një numër i madh i qytetarëve të interesuar për të përcjellur këtë garë.
Këtë garë nga afër e përcolli edhe kryetari i Komunës Qemajl Mustafa i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, i cili me këtë rast tha se kjo është një ngjarje shumë me rëndësi për sportin e komunës dhe për të rinjtë e Gjilanit në veçanti. Nisja e kësaj gare është e rëndësishme për të gjithë ne, për sportin tonë në Komunë, për sportin e Kosovës dhe të regjionit. Këto ngjarje nuk prodhohen shpesh, janë ngjarje që i bënë një elan rinor, një entuziazëm dhe përkushtim i rinisë.
Mustafa i falënderoi të gjithë ata të cilët sot kanë ardhur në Gjilan për ta bërë edhe më madhështore këtë ngjarje. Promovimi i Kosovës kudo në botë bëhet me secilën nga elementet e shoqërisë dhe kulturës në përgjithësi, siç është rasti i promovimit të Kosovës nëpër botë nga ana e këngëtares Rita Ora me atë videoklipin e saj, gjithashtu promovim janë edhe këto organizime që kanë merita të veçanta, këto janë energji të cilat janë të orientuara këtu në këtë disiplinë dhe në shumë fusha të tjera. Rinai bënë ndryshime, e ndryshimet nisin me vullnete dhe me qëllime të mira, siç është edhe kjo ngjarje e sotme, tha kreu i Komunës së Gjilanit, duke shtuar se kultura dhe sporti janë elementet më të mira me të cilat mund të prezantohemi nëpër botë dhe këto tregojnë se çka jemi e kush jemi.
Ndërsa drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Veton Nevzati, tha se kjo ngjarje e sotmja si dhe kjo pjesëmarrje kaq e madhe e qytetarëve dëshmon se ne jemi të interesuar të bëjmë gjëra të mira së bashku. Gjilani ka qëllimin e promovimit të të gjitha vlerave dhe kuadrove nga të gjitha disiplinat, sportive, kulturore, artistike, muzikore dhe të tjera.
Nevzati apeloi te të gjithë garuesit që të jenë të kujdesshëm gjatë ngasjes së motokrosëve, për të vetmen arsye që të nis dhe përfundoj kjo ngjarje siç është më së miri por pa lëndime, ngase shtegu ku zhvillohet kjo ngjarje është mjaft I vështirë për drejtuesit e motorëve.
Nga nata tjetër organizatori i kësaj ngjarje “MC 06” me në krye Alban Beqirin, në mbështetje të drejtorisë së kulturës në Gjilan, tha se në këtë garë janë lajmëruar rreth 40 garues në tri kategori. Kategoria E1 siç quhet në këtë sport shtegu ishte i gjatë rreth 8.5 km me tri gjiro gjithsej që normalisht një etapë mund të kalohet për 12 min, ndërsa për kategorinë dy dhe tre i kanë nga pesë etapa./rajonipress/