Eko Higjiena

Mavraj i shpëton “gijotinës” te Arisi, klubi grek i jep një tjetër shans

/ 2 minuta lexim

Mërgim Mavraj duket se i ka shpëtuar “gijotinës” te Aris i Selanikut. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare ishte në listën kryesore të atyre që do të largoheshin nga radhët e klubit grek por duket se në ditën e fundit ka ndryshuar në mënyrë të papritur situata e tij.

Mavraj kishte zhgënjyer në pjesën e parë të sezonit me klubin e Aris dhe duhet thënë se nuk ka fituar ende asnjë ndeshje me skuadrën e tij sa herë që ka qenë në fushë me grekët. Kjo statistikë mbresëlënëse në aspektin negativ bëri që mbrojtësi i cili ishte pritur me shumë bujë në verë, të kthehej menjëherë në dështimin më të madh dhe shtoi zërat për largimin e tij në janar, ku pritet një revolucion i madh në radhët e Arisit.

Uji Dea

Por një takim i sotëm mes presidentit të klubit, Teodoros Karipidis dhe trajnerit Savas Pantelidis, ka ndryshuar gjithçka, raporton “Vipsport”. Pantelidis duket ka shprehur gatishmërinë që t’i japë një mundësi tjetër Mavrajt të tregojë aftësitë e tij në pjesën e dytë të sezonit, duke cilësuar përshtatjen si problemin e deritanishëm të mbrojtësit. Sipas medieve greke, kjo ka shtyrë Karipidis që të pranojë të mbajë futbollistin, për të cilin në fakt nuk kishte marrë oferta dhe ndërprerja e kontratës do t’i kushtonte relativisht shtrenjtë.

Kësisoj, Mavraj nesër duhet të paraqitet në klub për rifillimin e stërvitjeve me Aris, ndërsa para stërvitjes do të jetë vetë presidenti i klubit ai që do të komunikojë të gjitha vendimet që janë marrë këto ditë për të ardhmen e skuadrës./express/