Mavraj: Feja është jeta ime
Mërgim Mavraj ka rrëfyer gjerë e gjatë për tabloidin gjerman, “Bild” për jetën e tij private, duke e lënë paksa anash sportin, përmes së cilit u bë i famshëm.
Futbollisti kosovar, i cili këtë verë iu bashkua Kolnit nga Greuther Furthi, ka treguar se është një besimtar i devotshëm dhe se mundohet t’i kryejë me përpikshmëri të gjitha obligimet fetare.
“Kam provuar shumë lloje meditimi, por e kam gjetur qetësinë shpirtërore tek feja. Jam mjaft fetar. Kjo është parajsa ime, kështu e fitoj kënaqësinë. Merrem shumë me veten, mundohem ta gjej ekuilibrin tim dhe të jem i përulur, si në sport, ashtu edhe në jetën private”, thotë fillimisht përfaqësuesi shqiptar.
– “Unë falem pesë herë në ditë. Falja është më e rëndësishmja për mua. Vaktin e parë të faljes e kryej në mëngjes, pak pas orës 3 të sabahut”, vazhdoi ai.
– “Shokët e skuadrës e respektojnë zgjedhjen time tërësisht. Kur jam në rrugë, ndalem ose e parkoj veturën dhe falem. E kam tapetën (sexhaden) e lutjes dhe veshjet e mia fetare pothuajse kudo që shkoj. Kjo është normale për mua. Kjo është jeta ime”, përfundoi Mavraj./zeri/


