Eko Higjiena

Maturantët e Shkollës së Mesme të Mjekësisë përsëri prijnë me kalueshmëri në Testin e Maturës

/ 2 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Nga 427 maturantë të SHMM “Dr. Asllan Elezi”, 413 maturantë e kanë kaluar testin.Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës (KQSHM) ka publikuar sot rezultatet e provimit të maturës të afatit të qershorit.

Edhe këtë herë maturantët e SHMM “Dr. Asllan Elezi” në Gjilan kanë treguar rezultate të shkëlqyeshme në kalueshmëri, duke dëshmuar se vërtet kjo organizatë arsimore dallohet për mësim cilësor, dije dhe aftësi diturore e profesionale.

Drejtori i SHMM “Dr. Asllan Elezi” në Gjilan, Rahim Azemi, ka deklaruar se nga 427 maturantë të kësaj shkolle, që i janë nënshtruar Testit të Shtetëror të Maturës, prej tyre kanë kaluar 413 sish, ndërsa 14 maturantë nuk kanë pasur sukses, nuk e kanë kaluar testin.

RCCOLA

Kalueshmëria shkon nga mbi 100 pikë deri në 158 pikë, ndërsa ka klasë që të gjithë e kanë kaluar testin. Me këtë rast veçojmë paralelet që kanë kaluar komplet ose ka dështuar vetëm një nxënës në ndonjërën prej klasave. Në pak klasë nuk kanë arritur ta kalojnë testin më së shumti 5 nxënës.

Këtë sukses, sipas drejtorit Rahim Azemi, maturantët e Mjekësisë e kanë arritur falë angazhimit përkushtues dhe shumë mobilizues në procesin edukativo-arsimor të kësaj organizate mësimore. “Puna sistematike nëpër vite dhe motoja e nxënësve të mjekësisë dhe e stafit mësimor se vetëm me mësim dhe dije mund të ketë rezultate dhe mund të përgatiten për jetë, ka bërë që maturantët e kësaj shkolle të arrijnë kalueshmëri 97 për qind”, është shprehur Azemi.

Ai i ka inkurajuar maturantët që të vazhdojnë suksesshëm rrugëtimin dituror në jetë dhe në studime.
Ata që nuk e kanë kaluar provimin në këtë afat, do të kenë edhe një mundësi në afatin e gushtit./rajonipress/