Matoshi takohet me ministrin Haki Demolli
Gjilan – Nënkryetari i Kamenicës Fatmir Matoshi, së bashku me drejtorin e SHMLP “Andrea Durrsaku” Qamil Qehaja u pritën sot nga Ministri i FSK-së Haki Demolli. Në këtë takim u diskutua rreth mundësisë së përfshirjes së FSK-së në një projekt të përbashkët me komunën dhe KFOR-in Amerikan për sallën e sportit në oborrin e shkollave të mesme në Kamenicë. Nënkryetari Matoshi e ka njoftuar ministrin me kërkesën e Kryetarit Begzad Sinani për mbështetje nga FSK-ja në këtë projekt.
Fusha e sportit do të jetë donacion i KFOR-it Amerikan, dhe komunës i ishte premtuar edhe vitin e kaluar, por ka mbetur pa u realizuar në mungesë të buxhetit për rregullimin e bazamentit të saj. Komuna ka kërkuar nga FSK-ja që të mbështes këtë projekt me transportimin e sallës së sportit e cila do të jetë nga konstruksioni metalik, montimin e saj dhe mundësisht edhe rregullimin e bazamentit të saj.
Nga ana e tij ministri Demolli e ka pranuar kërkesën e komunës së Kamenicës dhe është zotuar se do ta trajtojë atë dhe do të angazhohet personalisht që ky projekt të realizohet sa më parë.
Lidhur me këtë projekt Kryetari i Kamenicës Begzad Sinani do të takoj edhe komandantin e KFOR-it Amerikan gjatë ditës së martë./rajonipress/


