Uji Dea

Matoshi: Shkolla e Berivojcës do të ndërtohet në vitin e parë të qeverisjes së AKR-së

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Kamenicë – Kandidati i AKR-së për kryetar të Kamenicës, Fatmir Matoshi, u ka premtuar banorëve të lagjes Iliria dhe Berivojcës, se me qeverisjen e AKR-së, fëmijët e tyre nuk do të ecin këmbë nga 6 kilometra për të shkuar në shkollë.

“Më 3 nëntor, duhet ta votojmë AKR-në, t’ia japim mundësinë Kamenicës të ecë përpara dhe të ecë ndryshe. Obligim tjetër i yni është, të kujdesemi për infrastrukturën e këtij vendi. Të kujdesemi që shkolla e Berivojcës të ndërtohet në vitin e parë të qeverisjes dhe këtë e bëjmë premtim dhe do ta bëjmë me patjetër. Të kujdesemi që ujësjellësi me funksionu normalisht. Të kujdesemi që varrezat tona të mirëmbahen prej Komunës në mënyrë më të mirë të mundshme, të kujdesemi që këtë pjesë të qytetit ta vëmë në vëzhgim të kamerave. Këto janë vetëm disa prej projekteve, të cilat mendojmë t`i realizojmë dhe do të vazhdojmë me trotuarin, i cili në njërën anë të rrugës mungon dhe investime të tjera, asfaltime të rrugicave që kanë mbet pa asfaltu”.

Këto zotime Matoshi i ka bërë gjatë një takimi që ka zhvilluar me banorët e Berivojcës dhe lagjes “Iliria”. Ai ka thënë më tej se, po ndodh një vepër madhore në komunën e Kamenicë, gjë që s’ka ndodhur në tridhjetë vitet e fundit, një mundësi që të paktën 300 familje kamenicase që në fazën e parë të punës së fabrikës, të kenë të garantuar një jetë shumë më të mirë, se sa që po e bëjnë sot.

Uji Dea

“Kjo do të nënkuptoj që edhe qyteti do të frymoj ndryshe, edhe fshatrat do të frymojnë ndryshe, sepse këtu do të ketë qarkullim të parave në masë më të madhe. Unë jam i lumtur dhe shumë krenar që përveç angazhimit të tre kandidatëve për këshilltarë, kemi marrë mbështetje edhe prej shumë njerëzve të tjerë. Për mu është nderë që doktor Gani Krasniqi, që është banor i lagjes Iliria, del publikisht dhe na jep mbështetje. Jam jashtëzakonisht i nderuar që kam marrë mbështetje edhe nga Shaip Hyseni, i cili është njohësi më i mirë i pasurive më të mëdha që i ka Komuna e Kamenicës, përmes të cilit dhe bashkë me të cilin shpresojmë që do të vëmë në funksion tërë këtë pasur nëntokësore që ka Kamenica në shërbim të jetës më të mirë për qytetarët”. Matoshi ka thënë më tej se ne flemë mbi pasuri dhe jetojmë keq. Jetojmë në kushte të rënda. Arsyet janë se i shesim minierat, i shesim fabrikat, është shitë gjithçka e mirë dhe ju ka pamundësu puna. Këtë gjendje do ta ndryshojmë. Kemi disa argumente kur flasim për vende pune. Ne garojmë përmes AKR-së, prapa nesh qëndron presidenti Behgjet Pacolli, personi më i fuqishëm dhe më garantues i tërë këtyre premtimeve. “Ai është garancia se këtu kanë me ardhë investitorë. Kur njerëzve iu garantohen investimet, kur u garantohet se njerëzit e komunës nuk kanë me iu lyp haraç, nuk kanë me iu bë pengesa, ata vijnë me kënaqësinë më të madhe, sepse këtu e gjejnë fuqinë punëtorë më të lirën në Evropë dhe më të mirën në Evropë. Duke e parë tërë këtë potencial të madh, duke parë vullnetin e njerëzve, duke filluar nga Karaçeva e Epërme deri në Krilevë, unë nuk kam dyshime që fitorja nuk ka me qenë e jona”, është shprehur kandidati i AKR-së për kryetar komune.

Ai i ka ftuar të gjithë banorët lokalë që të angazhohen me familjet e ngushta dhe rrethin e gjerë familjar, që AKR-ja ta prek fitoren që në raundin e parë. “Si kandidat për kryetar komune, ju garantoj që asnjëherë asnjërin prej juve nuk ka me bë të ndihet keq për besimin e dhënë, sepse e di që do të punojmë ndershëm, do të punojmë me punë të sinqerta, me punë reale, me kusht që pas katër viteve përveç të mirave që do t’ia sjellim kësaj komune ta kemi edhe një pjesë krenarie për vete e familjet tona. Për herë të parë po kërkojmë që vota e Kamenicës të mbetet në Kamenicë, mos të shkoj në Dukagjin, Drenicë e Llap. Për ne, bahçja nuk është vend për ndërtimin e banesave, siç po e propozojnë disa kundër kandidatë, nuk prishet qendra e qytetit për blloqe banesash. Qysh në vitin e parë të qeverisjes do të bllokohet rruga kryesore aty të bëhet sheshi. Do të bëhet hapja e rrugëve shtesë të cilat e mundësojnë qarkullimin normal të njerëzve dhe mallrave dhe sheshi i qytetit do të jetë i qytetarëve”, ka theksuar Matoshi.

Në këtë takim fjalë rasti mbajtën edhe kandidatët për asambleistë Fatbardha Maliqi, Faik Rexhepaj dhe Ardian Dermaku si dhe nënkryetarët Fatmir Krasniqi e Zijadin Thaqi./rajonipress/