RCCOLA

Matoshi: Po punojë që në vjeshtë të jem kryetar i Kamenicës

/ 5 minuta lexim

Gjilan – Në një bisedë për rajonipress, kryetari i degës së AKR-së në Kamenicë Fatmir Matoshi flet për sfidat, vizionin dhe të ardhmen e këtij subjekti politik. AKR në Kamenicë në dy palë zgjedhjet e kaluara ka mbetur pa garën e balotazhit për dhjetëra vota më pak se kandidatët e partive tjera politike. Unë pres që në javët që vijnë kandidaturën time ta aprovojë Presidenti Pacolli dhe po punojë që në vjeshtë të filloj punën si kryetar komune tha Matoshi.

E ka lënë gazetarinë dhe i është përkushtuar politikës. Thotë se angazhimi i tij në politikë është i sinqertë dhe sfidues. Ka hyrë në këtë garë për të qenë në shërbim të qytetarëve të Kamenicës dhe pranon për rajonipress se është kandidatë për kryetar të Kamenicës nga radhët e AKR-së.

I pyetur për të vlerësuar procesin zgjedhor brenda partiak Matoshi ka thënë se AKR-ja ka dëshmuar se është e përkushtuar që të ofrojë hapësirë për veprim për të gjithë ata që duan ta bëjnë ndryshimin në Kamenicë. “Personalisht jam angazhuar në AKR në mesin e dhjetorit ndërsa më 23 shkurt jam zgjedhur kryetar i degës, procesi zgjedhor ka rikonfirmuar në strukturën udhëheqëse dy nga katër nënkryetarët e mandatit të kaluar si dhe disa anëtarë të kryesisë së kaluar, por përveç këtyre në strukturën udhëheqëse të partisë janë zgjedhur edhe shumë të sapoardhur. Në AKR nuk ekziston stazhi politik i anëtarëve të partisë, secili që anëtarësohet aty është i barabartë me të gjithë të tjerët pavarësisht kohës se kur janë anëtarësuar në parti. Tani kryesia e re ka 19 anëtar, prej të cilëve 11 janë për herë të parë në kryesi të partisë. Njëjtë ka ndodhur edhe me forumet e partisë të cilat udhëhiqen nga njerëz të rinj në parti” tha Matoshi.

Sipas Matoshit ky subjekt politik tashmë ka shtrirje në gjithë komunën dhe po pranon përditë anëtarë të rinj. “ Në periudhën pesë mujore kemi pasur me dhjetëra takime për pranimin e anëtarëve të rinj. Anëtarët e rinj janë kryesisht njerëz të moshave të reja që angazhohen për herën e parë në politikë, por vërehen edhe numër i madh i anëtarëve të subjekteve tjera politike që kanë ardhur tek ne, në numër më të madh janë ata që vijnë nga LDK dhe AAK, por ka edhe nga PDK.”

Sipas tij zhvillimi ekonomik i Kamenicës do të jetë pjesa kryesore e programit me të cilin AKR do të garojë në zgjedhjet lokale.”Rinia e Kamenicës po e braktis komunën përditë në mungesë të perspektivës, komuna po zbrazet dhe është ndezur alarmi për ta shpëtuar këtë komunë. AKR do të ofrojë dhe do të sjell në Kamenicë investitor serioz në fushën e prodhimit dhe për këtë kemi plane dhe oferta konkrete, jemi të sigurt se po flasim për investime të sigurta të cilat do të hapin shumë vende pune dhe do t`ia kthejnë besimin qytetarit të Kamenicës. Si qeveri e ardhshme lokale do të sigurojmë investitorët se do të gjejnë mjedis të përshtatshëm për punë, pa haraç dhe pa reket, dhe do tu ofrojmë infrastrukturën e nevojshme për punë, fuqia punëtore ekziston dhe në këtë mënyrë do të realizojmë qëllimin tonë që është punësim për të rinjtë. Kemi fat të madh që Presidenti Pacolli është i përkushtuar për të ringjallur ekonominë kosovare në përgjithësi dhe atë të Kamenicës në veçanti” tha Matoshi

Eco Higjiena

Gjithashtu sipas tij, qeverisja në Kamenicë është degraduar dhe po vazhdon të degradohet përditë. “ Pazotësia e Surdullit ka bërë që Kamenicasit të ndihen të harruar dhe këtu të mos ndihet dora e investimeve, po ashtu qeverisja dyvjeçare e Begzad Sinanit u ka shërbyer zyrtarëve dhe partive dhe fare pak qytetarëve. Një komunë si Kamenica është turp të shpenzoj dhjetëra mijëra euro dreka e darka, mbi 40 mijë euro telefona dhe shpenzim,e tjera të luksit ndërsa rezultatet t`i ketë tepër minimale.” tha Matoshi.

Ai zotohet se këto shpenzime do të reduktohen në masën 80% në vitin e parë të qeverisjes së tij dhe mjetet do të shpenzohen për të ndihmuar zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë. “Nuk ka buxhet Kamenica që t`i mbajë zyrtarët e saj në restorante dhe në Turqi tërë kohën, përderisa bujqit tanë punojnë tokat e tyre me borxhe” tha ai.

Lidhur me kandidaturën për kryetar komune dhe listat e delegatëve Matoshi tha se unë pres që në javët që vijnë kandidaturën time ta aprovojë Presidenti Pacolli dhe po punojë që në vjeshtë të filloj punën si kryetar komune, ndërsa sa i përket listës së kandidatëve të mundshëm për këshilltar komunal jemi në fazën e propozimeve të mundshme dhe do të garojmë absolutisht me kandidatët me të mirë të mundshëm.

Sipas Matoshit është mase normale që për secilën parti politike të garojë kryetari i degës për kryetar komune. “ Do të dëshiroja që në garë të jenë kryetarët e partive politike dhe jo të zgjedhurit e tyre, ne jemi zgjedhur për të udhëhequr partitë dhe për t`i sjellë ato në pushtet, prandaj nuk ka kuptim që të tradhtojmë besimin e zgjedhësve tanë” tha ai./rajonipress/