Matoshi: Në Shqipëri, në vitin 1912 nuk e pranonin as flamurin kuqezi
Matoshi ka treguar se një gjë e tillë ka ndodhur edhe menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 1912, kur nuk e pranonin flamurin kuqezi, pasi ishin adaptuar me flamurin pesë shekullor otoman, dhe një i tillë i kuq me shkabën e zezë shihej si simbol i të pafeve.
Sonte në emisionin “Komiteti” – prodhim i Gazetës Express për RTV Dukagjini – që drejtohet nga Berat Buzhala, publicisti Halil Matoshi ka folur për mohimin që po i bëhet shtetit të Kosovës dhe simboleve të tij.
Ai ka thënë se mohimi i gjithçkaje të re është veti kolektive e shqiptarëve, prandaj edhe nuk pranohen simbolet e shtetit të Kosovës.
Sipas tij, një mohim që tani i bëhet shtetit të Kosovës, i është bërë edhe Shqipërisë kur është shpallur shtet, i cili mezi ka mbijetuar për shkak të kundërshtimeve.
Matoshi ka treguar se një gjë e tillë ka ndodhur edhe menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 1912, kur nuk e pranonin flamurin kuqezi, pasi ishin adaptuar me flamurin pesë shekullor otoman, dhe një i tillë i kuq me shkabën e zezë shihej si simbol i të pafeve.
“Për flamurin kuqezi ka pasur aq shumë refuzim, saqë shqiptarët mezi ishin mësuar. Edhe refuzimin që i bëhet flamurit të Kosovës e shoh në të njëjtin kontekst”, ka thënë Matoshi në “Komiteti”. /Express/


