Matoshi: Kryeministër, mos u bëjë qyqan, Klosi duhet të shpallet “Persona Non Grata” në Kosovë
Publicisti dhe analisti politik, Halil Matoshi përmes një postimi në Facebook ka reaguar kundër deklaratave të Fatos Klosit, ish-shefit të SHIK-ut gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Matoshi ka sugjeruar kryeministrin Isa Mustafa që Klosi të shpallet i padëshiruar në Kosovë. Postimin e tij mund ta lexoni të plotë më poshtë.
“Kryeminister mos u ba qyqan: Klosi duhet te shpallet ‘Persona Non Grata’ ne Republikën e Kosovës…
‘’FARK-u, Ushtria e qeverisë së Bukoshit ku bënte pjesë dhe zotëria ishte një ushtri me oficerë shqiptarë që kishin mbaruar akademitë ushtarake në Serbi, Jugosllavi, mbase në Kroaci dhe dinin të flisnin më mirë serbisht sesa shqip. Madje një pjesë e madhe e tyre ishin martuar me gra serbe. Ata do ta bënin luftën’?! ‘Është vetëm një betejë që përfundoi me shumë turp për shqiptarët, beteja e Kosharës. Një brigadë e kësaj ushtrie u shpartallua dhe hodhën armët, hodhën flamurët. Serbët e regjistruan dhe e dhanë në televizionet e tyre’.
E tash, Ish-kryeministri Bukoshi, kryeministri aktual kosovar Mustafa, historianët, komandantët e (poshtnuem) t’Koshares; ata qe e madhëruen betejën e Agim Ramadanit e Sali Çekajt, duhet ta padisin Klosin për shpifje e ‘munafiki’, për racizëm dhe përdhosje të vdekurish; dhe ta nxjerrin para drejtësie; Qeveria do të duhej ta shpall Klosin ‘Persona Non Grata’ në Republiken e Kosovës – ose duhet ta pranojnë turpin!!!
Nëse ky vend asht shtet dhe ka pushtet!?”, ka shkruar Matoshi. /Telegrafi/


