Matoshi: Haradinaj është luftëtar dhe ai e di më së miri se si është bërë lufta për Kosovën

Analisti politik Halil Matoshi, përgjigjen pozitive të Haradinajt për takimin me Presidenten e sheh si lëvizje për të parandaluar çfarëdo përplasje eventuale në mes të shoqërisë kosovare, por edhe të vet opozitës me perëndimin.
Matoshi mendon se tani ka ardhur në shprehje dallueshmëria në koncept mes partive që përbëjnë opozitën.
“Mendoj se ka dallime konceptuale mes AAK-se së Haradinajt dhe Vetëvendosjes së Kurtit dhe Nisma-s së Limajt. Haradinaj është luftëtar dhe ai e di më së miri se si është bërë lufta për Kosovën dhe si është liruar ajo. Pra Ramush Haradinaj nuk lejon përplasje me ShBA-të dhe me Perëndimin dhe së dyti, ai nuk e dëshiron përplasjen e shoqërisë kosovare, përndryshe lufta e tij dhe e familjes së tij nuk do të kishte kuptim”, ka thënë Matoshi.
Për Matoshin, Opozita ka qenë e bashkuar vetëm nga dy çështje nacionaliste dhe asnjëherë nga një përbashkim konceptesh.
“Opozita e bashkuar – ka qenë e tillë vetëm rreth dy kauzave të famshme dhe etnonacionaliste, Asociacioni dhe Demarkacioni, të cilat janë shtyrë përpara për ta mobilizuar nacionalizmin etnik shqiptar, dhe asnjëherë nuk ka qenë e bashkuar rreth një koncepti të ri qeverisës”.
“Haradinaj dhe Limaj kanë qenë pjesë e Qeverive kosovare dhe nuk kanë ndryshuar gjë në etikën e pushtetit, ndërsa Kurti dhe VV-ja mësyjnë ta ndryshojnë shoqërinë përmes revolucionit e jo pushtetin”, ka thënë Matoshi për Klan Kosovën.