Matoshi e Biqkaj në Beograd me ftesë të Këshillit të Evropës
Gjilan – Me ftesë të Këshillit të Evropës, në kuadër të fushatës për “Mbrojtjen e të drejtave të njeriut” të financuar nga Komisioni Evropian, Nënkryetari i Kamenicës Fatmir Matoshi së bashku me shefin e personelit Faton Biqkaj po qëndrojnë për tri ditë në Beograd.
Nënkryetari Matoshi ka thënë se përveç seancave plenare do të marrin pjesë edhe në një punëtori për Hartimin dhe menaxhimin e projekteve që financohen nga Unioni Evropian. “Jemi në Beograd për të marrë pjesë në Konferencën mbi “Të drejtat e Njeriut dhe çështjet e komuniteteve pakicë në Evropën Juglindore” dhe punëtorinë “Hartimi dhe Menaxhimi i projekteve”.
Këtu marrin pjesë rreth 60 përfaqësues të 36 komunave nga shtatë shtete të rajonit. Nga Republika e Kosovës marrin pjesë zyrtarë nga tri komuna. Këshilli i Evropës mbetet një partner shumë i rëndësishëm për Komunën e Kamenicës, dhe besojmë se projektet tona do të kenë përkrahjen e këtij mekanizmi edhe në vitet që vijnë. Qëndrimi këtu është një mundësi e mirë edhe për shkëmbim përvojash me përfaqësues të pushteteve lokale në Shqipëri, Mal të Zi, Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë, Maqedoni dhe Serbi” ka thënë për rajonipress nënkryetari i Komunës së Kamenicës Fatmir Matoshi./rajonipress/


