Matoshi: Diasporës duhet t`i ofrojmë mundësi konkrete
Kamenicë – Diaspora duhet të merr rol tjetër në shoqërinë kosovare e në veçanti në atë të Kamenicës, ka vlerësuar nënkryetari i kësaj komune Fatmir Matoshi.
Tashmë, sipas tij duhet tu krijohen mundësitë bashkatdhetarëve që të investojnë në komunën e tyre dhe si rezultat i kësaj të kemi ringjallje ekonomike thotë Matoshi për rajonipress.
“Komuna edhe këtë vit sikurse në vitet e tjera po përgatitet për pritjen e diasporës, duke krijuar mundësi më të mira për ta, si në fushën e shërbimeve të administratës ashtu edhe në fushat e tjera. Edhe këtë vit do të zgjatet orari i punës në sektorët që ndërlidhen me dokumentet e gjendjes civile, ndërsa kanë filluar përgatitjet për shënimin e Ditës së Diasporës e cila këtë vit do të bashkëorganizohet më HELVETAS dhe partnerë të tjerë lokal. Ideja është që me datën 22 korrik të presim biznesmenët kamenicas që kanë firmat e tyre në diasporë dhe së bashku me ta të diskutojmë për mundësitë e zhvillimit ekonomik të Kamenicës. Ne duhet të jemi të gatshëm që atyre tu ofrojmë mundësi për të zhvilluar idetë e tyre dhe për t`i realizuar ato. Mundësitë tona janë në ofrimin e tokës, rregullimin e dokumentacioneve përkatëse dhe mbështetje të tjera të nevojshme. Kamenica ka potencial të mirë të fuqisë punëtore, ka rini të mrekullueshme dhe ne duhet të bëjmë hapa konkret me diasporën tonë që këta të rinjë të kenë mundësinë që të kenë një vend pune” ka thënë Nënkryetari Matoshi.
Sipas tij Kamenica ka potencial të mirë në diasporë. “Nga Kamenica ka biznesmenë mjaft të suksesshëm që veprojnë në Evropë, komuna jonë ka disa milionerë që kryejnë me mjaft sukses punët e tyre në tregun evropianë, andaj besojë se me ta do të arrijmë të dakordohemi për ndonjë investim në Kamenicë. Ne duhet të dalim përtej atij modelit të stërvjetëruar me të cilin kemi shënuar ditën e diasporës, koncertet e ushqimet tradicionale e kanë edhe ato rëndësinë e vet simbolike, por potenciali që kemi në Diasporë vlen më shumë se kaq. Ne me bashkatdhetarët tanë në korrik do të kemi takime e biseda të rëndësishme, do të vizitojmë ndërmarrje serioze të cilat janë krijuar në Kamenicë me kapitalin e diasporës dhe besojë se do të kemi suksese në këtë drejtim” ka thënë Matoshi./rajonipress/


