Matoshi: Bashkëpunimi mes komunës dhe OJQ-ve duhet të avancohet

Ohër, Maqedoni – Zyrtarë të lartë të komunës së Kamenicës dhe pjesëtarë të shoqërisë civile janë zotuar për thellimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimin e aktiviteteve në fushat ku mund të punojnë së bashku në të mirë të qytetarëve.
Përfaqësues të komunës së Kamenicës dhe të shoqërisë civile nga kjo komunë kanë diskutuar gjatë një punëtorie në Ohër të Maqedonisë për nevojën e thellimit të bashkëpunimit mes pushtetit lokal dhe shoqërisë civile si dhe për bashkërendimin e aktiviteteve në fusha të ndryshme.
Në këtë punëtori të mbajtur nën organizim të OJQ “Fortesa” është elaboruar dhe është diskutuar gjendja aktuale e shoqërisë civile dhe bashkëpunimin e tyre me strukturat komunale.
Sanije Jahiri, drejtoreshë ekzekutive e OJQ “Fortesa” tha se gjendja aktuale e bashkëpunimit mes komunës dhe organizatave të shoqërisë civile nuk është mjaftueshëm e mirë, për shkak se sipas saj, komuna nuk e ka kuptuar ende drejt rolin e saj të bashkëpunimit për të siguruar qeverisje më gjithëpërfshirëse dhe më transparente. “Ne kemi vërejtur një gatishmëri më të madhe të kësaj qeverisje për bashkëpunim me OJQ-të, por nuk duhet të kënaqemi me këtë gjendje dhe duhet të synojmë një bashkëpunim më të madh në interes të qytetarëve të Kamenicës” tha Jahiri.
Nënkryetari i Komunës Fatmir Matoshi, duke folur për gjendjen dhe bashkëpunimin e Komunës me OJQ-të lokale, tha se sektori i shoqërisë civile është një aset i rëndësishëm për të përmirësuar në vazhdimësi qeverisjen lokale.
“Në këtë kohë të proceseve integruese, komunat duhet të jenë më inovative dhe ta kuptojnë rolin e shoqërisë civile, të cilat janë partner me potenciale të mëdha që mund ti sjellin komunës investime përmes realizimit të projekteve. Tani komuna është e vetëdijshme që duke i shfrytëzuar kapacitetet e shoqërisë civile, përmes bashkëpunimit, të aplikojnë bashkërisht në fonde të organizatave të ndryshme ndërkombëtare”, tha Matoshi.
Përveç kësaj mundësie të bashkëpunimit nënkryetari Matoshi tha se shoqëria civile ka ndikim edhe në kualitetin e qeverisjes. “Komunat mund të bashkëpunojnë shumë më shumë me shoqërinë civile dhe duke bashkëpunuar më shumë me ta, duke i shfrytëzuar edhe këto kapacitete të shoqërisë, mund të ofrojmë shumë më shumë shërbime më cilësore, shumë më shumë transparencë dhe mobilizim të qytetarëve për bashkëpunim më të madh me strukturat e pushtetit komunal”, tha Fatmir Matoshi.
Zyrtarë të tjerë të komunës dhe OJQ-ve, gjatë diskutimeve për tejkalimin e sfidave dhe përmirësimin e gjendjes aktuale, theksuan nevojën që krerët e komunave të kenë parasysh krijimin e një fondi të veçantë brenda komunave për të participuar në projekte të ndryshme në interes të komunave edhe kur OJQ-të kanë siguruar një mbështetje nga një donator i tretë.
Përfaqësuesit e komunës në këtë punëtori premtuan se gjatë këtij viti, do të bëjnë takime me organizata të shoqërisë civile për të parë mundësitë e bashkërendimit të aktiviteteve dhe planifikimeve të përbashkëta për ide dhe punë gjatë vitit.
Kjo punëtori e hapi sesionin disa takimeve në kuadër të projektit të OJQ “Fortesa” për thellimin e bashkëpunimit në mes sektorit të shoqërisë civile dhe Komunës. Në punëtori përveç zyrtarëve të lartë komunal morën pjesë edhe përfaqësues të shumë organizatave joqeveritare./rajonipress/