Hidromorava

Matoshi: Anamorava u braktis nga qeveria në katër vitet e fundit

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Rajoni i Anamoravës ka pasur ngecjen më të madhe në zhvillim përgjatë katër viteve të fundit. Këtë konstatim e ka bërë Fatmir Matoshi nga NISMA, i cili ka thënë se muajve të fundit kanë dëgjuar brengat dhe shqetësimet kryesore të banorëve të këtij rajoni.

“Asnjë lëvizje të vetme serioze në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe atij të infrastrukturës nuk ka pasur përgjatë gjithë katër viteve. Ndër nevojat urgjente është zhvillimi ekonomik i zonës, si masë parandaluese për shpërnguljen e popullsisë. Shikoni shifrat e dala nga regjistrimi i popullsisë, Gjilani është në fundin e listës së qyteteve të mëdha, ndërsa Kamenica pothuajse është përgjysmuar për nga numri i banorëve. Kjo është pasojë në radhë të parë e mungesës së infrastrukturës, dhe këtë e dëshmon fakti që në Komunën e Vitisë që ndodhet pranë autostradës nuk kemi ulje të madhe të numrit të popullsisë” tha Matoshi për rajonipress.

Sipas Matoshi, Rajoni i Anamoravës duhet që urgjentisht të lidhet me rrjetin e autostradave të Kosovës.

“Është për keqardhje se si kanë ngecur punimet në autostradën e Gjilanit, punët kanë mbetur aty janë lënë katër vite më herët, paramendoni me këtë intensitet kur do të përfundonte autostrada rruga deri te Dheu i Bardhë, pas sa dekadash. Ne do të nisim në javët e para të qeverisjes punët për këtë rrugë të rëndësishme dhe maksimumi do të na nevojiten dy vite ta përfundojmë deri në kufirin te Dheu i Bardhë”.

ARKATANA

Qeveria aktuale që ka marrë numër rekord të votave në Anamoravë, sipas Matoshit, përkushtimin e vet për rajonin e Anamoravës e ka treguar me urën e Badocit.

“E dhimbshme, qesharake dhe për keqardhje, vetëm kështu mund të përshkruhet puna e urës në një skaj të Badocit. Dy vite e më shumë, për 15 metra urë, dhe s`ka ende asnjë lëvizje konkrete. Fyerje më të rëndë komunave që të kanë votuar me rreth 65% të votave nuk mund tu bësh” tha Matoshi.

Autostrada, hyrje daljet në qytetet e Anamoravës, kolektorët dhe impiantet e ujërave të zeza, Hidrosistemi Kikë – Kremenatë, Penda “Te shusht”, sistemet e ujitjes së tokave, zhvillimi ekonomik, energjia me erë, turizmi rural, bujqësia do të jenë prioritetet kryesore të qeverisë së re sipas Matoshit./rajonipress/