Matoshi: Albini është maoist, po shitet si profet, po vepron si komunist
Analisti Halil Matoshi thotë se Albin Kurti me largimin nga kreu i Vetëvendosjes dhe kthimi në bazë është taktikë dhe retorikë politikë është komunjarizëm i përtokë. Sipas tij, deklaratat e Kurtit se nuk ishte Kryetar i zakonshëm i VV’së dëshmojnë se ai njeri po sillet si profet.Matoshi thotë se tërheqja e Kurtit dhe lëshimi i rrugës për Visar Ymerin tregon për modelin komunist të kësaj lëvizjeje.
Express: Si e shihni lëvizjen e fundit të Albin Kurtit, i cili nuk kandidon më kreun e Vetëvendosjes?
H. Matoshi: Nuk doja ta shihja si taktizmim, mirëpo duke qenë se Lëvizja Vetëvendosje identifikohet me emrin e Albin Kurtit atëherë tërheqja e tij nga kandidimi për t’u rizgjedhë Kryetar i kësaj lëvizjeje në këtë momentum po më tingëllon si shfaqje spektakolare revolucionariste, ose strategji a manir liderësh ultra majtistë, për të dëshmuar se “grupi/ kolektiviteti është mbi individin dhe individualen”.
Kurti po thotë se po “kthehet në bazë” dhe se do të veprojë nga aty, pra ai nuk po tërhiqet nga politika, mirëpo asnjë pragmatist politik nuk e lë drejtimin e partisë (lëvizjes) për ta emocionuar apo edhe emancipuar bazën, sepse rezultati i një organizate varet kryesisht nga timonieri karizmatik e jo nga “njerëzit e popullit”.
“Kthimi në bazë” si taktikë dhe retorikë politike është komunjarizëm i përkortë!?
Express: Në letrën dërguar mediave, Kurti tha se nuk ishte kryetar i zakonshëm. Në fakt, si e keni parë udhëheqjen e VV nga ky lider?
H. Matoshi: Nëse ai nuk ishte “një kryetar i zakonshëm” çfarë ishte pra? Një mbinjeri nietzschean, një profet? Më këso përkufizimesh për vetveten, sipas mendimit tim, Kurti po e dëmton imazhin e tij në publik, në pjesën më kritike të tij, e kjo dëshmon se është vërtet një maoist i çuditshëm dhe krejtësisht i zakonshëm si i tillë – maoist pra eksponent i të majtës ekstreme.
Express: Zyrtarisht në garë për kryetarin e VV’së është vetëm Visar Ymeri. Si ju duket kjo praktikë nga VV, kur dihet se edhe në zgjedhjet e para ishte vetëm Albini kandidat për kryetar të VV’së?
H. Matoshi: Partitë e vërteta demokratike (po edhe lëvizjet politike) demokracinë e vërtetë e kultivojnë përbrenda organizatës dhe rëndom hyjnë në garë më shumë kandidatë. Kandidatura e vetme e Visar Ymerit dmth. se ai do të jetë në krye të lëvizjes, porse lëvizja nuk pëson asnjë ndryshim ideologjik as nuk ndërron qasja e saj ndaj pushtetit. Mirëpo, kjo strategji mendoj se është e gabuar dhe mund t’i kushtojë me tkurrje për sa i përket fuqisë së votës, sepse megjithatë Albini është më i popullarizuar se Ymeri. Shumë njerëz mund t’i zhgënjejë kjo “tërheqje” e tij… Kurti thjesht ka rrezikuar shumë dhe nuk do të përfitojë shumë nga kjo… Është interesant fakti se tërhiqet nga drejtimi i Lëvizjes që vet e ka themeluar një lider i popullarizuar brenda lëvizjes së tij, që fare mirë mund të ishte lideri i së ardhmes së Republikës, por edhe më gjerë, kurse këtë nuk e bëjnë liderët e të djeshmes, liderë të këqij, që s’kanë fare popullaritet por që e mbajnë timonin me politika konjukturale, klientelizëm e autoritarizëm…
Express:VV është parë si alternativë e pushteteve në Kosovë. Mirëpo, Kurti dhe VV pranuan të bëhen bashkë edhe me parti të tjera vetëm për të ardhur në pushtet. Së fundmi, VV në Prishtinë delegoi burrin e deputetes në kompaninë Pastrimi. Realisht, me këto veprime a po bëhet edhe VV sikur partitë e tjera.
H. Matoshi: Është e vërtetë, se Lëvizjen VV e kamparë edhe unë si një vlerë të shtuar të demokracisë së re kosovare, ndonëse një kritik i saj, por edhe shumë kundërshtarë ideologjikë të saj e shohin si lëvizje dinamike, që ia ka pa hajrin shoqëria kosovare, sepse duke shtruar shumë pyetje e dilema, e ka rritur debatin shoqëror dhe posaçërisht debatin parlamentar dhe për këtë bravo u qoftë,sëkëndejmi shikohet ende si lëvizje me gra e burra të pakorruptueshëm dhe që synojnë ta ndreqin Republikën, t’ijapin asaj ndjenjën e drejtësisë dhe barazisë. Mirëpo, politikat shpeshherë ultra të majta e shpeshherë ultranacionaliste e dezekuilibrojnë përpjekjen e tyre për një Republikë të mirë, duke rrëshqitur në pikëpamje totalitariste. Veçanërisht etnonacionalizmi i kësaj lëvizjeje, krijon perceptimin te ndërkombëtarët e involvuar në punët e Kosovës si cenuese e paqes dhe stabilitetit rajonal, pra si organizatë e rrezikshme radikaliste. Në thelb intenca e marrjes së pushtetit, përkatësisht koalicionimeve për të mbërri në pushtet është intencë legjitime, sepse fundja secila organizatë politike, parti apo lëvizje e mësynë pushtetin politik, prandaj them se Kurti ishte një politikan i zakonshëm i së i majtës, por që vetës po ia atribuon “të jashtëzakonshmen” duke synuar që me popullizma ta rikthejë në shoqërinë kosovare kultin e personaliteti. Sa i përket zgjedhjes së një drejtori, nuk e shoh aq tragjike, sepse ky vend është i vogël dhe secili ka nevojë (edhe të drejtë) ta ketë një punë!
Express: Shumëkush, e ka parë, Shpend Ahmetin si pasues të Albin Kurtit në Vetëvendosje. A lidhet largimi i parakohshëm nga kreu i VV’së për t’ia pamundësuar Kryetarit të Prishtinës të ngjitur në udhëheqjen e kësaj partie?
H. Matoshi: Tërheqja e Kurtit nuk e ka vetëm prapavijë e pamundësimit të Shpend Ahmetit për të ardhur në krye të partisë, porse, pamundësimin e akëcilit tjetër, sepse sipas modeleve tësprovuara komuniste, lideri i madh “shkon”, ai lë gjithnjë trashëgimtarin, e katapulton atë në maje pa asnjë konkurrentë, e në kushtet modern, “lideri i madh” shkon për t’u rikthyer mëi fuqishëm, duke e krijuar aurën se “po e kërkon populli”, po e kërkon situata delikate, për t’i drejtuar fatet e kombit… Déjà vu – Kaherë e parë!


