Matoshi: AKR në Kamenicë është e organizuar dhe tejet funksionale
Kamenicë – Megjithë hendikepin e madh që e kemi nga pasivizimi i partisë në nivelin qendror, në Kamenicë po funksionojmë shumë mirë dhe jemi më të organizuar se asnjëherë më parë. Pengesa jonë e vetme mbetet gjendja e krijuar në nivelin qendror dhe për pasojë të kësaj ne nuk jemi të sigurt aq sa duhet që në radhët tona të ofrojmë edhe shumë kuadro të tjera, është momenti i fundit që Presidenti të reflektojë për situatën dhe t`i jap drejtim ristrukturimit dhe riorganizimit të partisë në nivel të Kosovës thotë Fatmir Matoshi.
Dega e AKR-së në Kamenicë ka përmbyllur aktivitetet e vitit 2015, me një pritje për strukturat e saj. Ky takim kishte karakter të vlerësimit të punës njëvjeçare të degës.
Kryetari i AKR-së Fatmir Matoshi, ka thënë për Rajonipress se partia që ai e drejton është më e organizuar dhe më aktive se asnjëherë më parë. “Megjithë hendikepin e madh që e kemi nga pasivizimi i partisë në nivelin qendror, në Kamenicë po funksionojmë shumë mirë dhe jemi më të organizuar se asnjëherë më parë. Pengesa jonë e vetme mbetet gjendja e krijuar në nivelin qendror dhe për pasojë të kësaj ne nuk jemi të sigurt aq sa duhet që në radhët tona të ofrojmë edhe shumë kuadro të tjera, është momenti i fundit që Presidenti të reflektojë për situatën dhe t`i jap drejtim ristrukturimit dhe riorganizimit të partisë në nivel të Kosovës. Presidenti nuk duhet të lejojë që mosfunksionimi i partisë të ndikojë në largimin e njerëzve nga strukturat dhe anëtarësia nëpër komunat e Kosovës, marrë në konsideratë sjelljet e partive politike që janë në kuvend karshi situatës që ato e kanë krijuar vet, ky është momenti ideal që qytetarit t`i kthehet besimi dhe të rreshtohen në AKR” ka thënë Matoshi.
Performanca e treguar në qeverisjen lokale të Kamenicës është vlerësuar si mjaft pozitive. “Jam shumë i kënaqur me performancën e treguar në disa sektor që udhëhiqen prej nesh, kemi një administratë shumë funksionale dhe janë eliminuar pritjet në qendrën e shërbimeve ndaj qytetarëve plotësisht, kemi një përkushtim të madh edhe në drejtoritë e tjera që i menaxhojnë drejtorët e AKR-së. Kemi pasur dy ndërrime drejtorësh gjatë dy viteve të para të qeverisjes dhe mund të kemi edhe ndonjë tjetër në vazhdim, krejt kjo me qëllim të funksionimit sa më efikas të drejtorive që ne i udhëheqim” tha kryetari i AKR-së Fatmir Matoshi i cili raportet me partnerin qeverisës PDK-në i ka vlerësuar si korrekte. “Ne kemi bashkëpunim korrekt me kryetarin Sinani, ai është i përkushtuar që të bëjë punë të mira në Kamenicë, përkundër vështirësive të mëdha që kemi nga mungesa e buxhetit dhe mospërkrahja e Kamenicës nga Qeveria e Kosovës” tha ai./rajonipress/


