Matoshi: AKR do të sjellë investime dhe vende të qëndrueshme pune
Gjilan – Aleanca Kosova e Re – AKR, ka themeluar nëndegën e saj në Dajkoc. Pas themelimit të një grupi iniciues dhe disa takimeve me banorët e Dajkocit, është mbajtur edhe kuvendi themelues i kësaj nëndege në të cilin morën pjesë shumë banorë të Dajkovcit.
Programin dhe vizionin për Kamenicën e re në këtë takim e paraqiti kryetari i degës Fatmir Matoshi. “AKR është e përkushtuar në zhvillimin ekonomik të Kamenicës, dhe kjo komunë është prioritet kryesor i Presidentit Pacolli. Po punojmë me përkushtim që këtu të sjellim investime të mëdha nga të cilat banorët e Kamenicës dhe të Dajkocit do të përfitojnë vende të qëndrueshme pune dhe do të bëjnë një jetë më të dinjitetshme. Sot në Dajkoc si edhe në vendet e tjera në Kamenicë, bujqit punojnë tokat e tyre vetëm sa për të mos i lënë djerrina, sepse me këtë kosto të lartë të derivateve të naftës dhe pa asnjë mbështetje të komunës nuk kanë ndonjë leverdi. Rruga që lidh Dajkocin me Koretinin do të asfaltohet në vitet e para të qeverisjes së AKR-së sepse është interes strategjik për Kamenicën si qytet dhe për fshatrat e saj për shkak se shkurton distancën në mes të qytetit Dajkocit, Muqivercit , Shipashnicës dhe fshatrave të tjera për të paktën nëntë kilometra.” tha Matoshi.
Nënkryetari Zijadin Thaçi ka përgëzuar banorët e Dajkocit për vendimin e tyre që të organizohen politikisht në AKR dhe i ka siguruar ata se në këtë subjekt dominon puna ekipore, transparenca dhe përkushtimi për të ndërruar gjerat për të mirë. “AKR ka identifikuar qartë problemet e banorëve të Dajkocit dhe do të punoj së bashku me ju për një të ardhme më të mirë.” tha Thaçi.
Në takim fjalë rasti mbajti edhe Agim Bucolli, aktivist i AKR-së i cili foli për rëndësinë e krijimit të vendeve të reja të punës dhe zhvillimit të sektorit prodhues në Kamenicë.
Të pranishmit me 45 vota “Për”, kryetar të nëndegës zgjodhën Prof. Ekrem Krasniqin, master i telekomunikacionit, nënkryetar u zgjodh Veton Skoverqani ndërsa sekretar Patriot Krasniqi, poashtu u zgjodh edhe kryesia me nëntë anëtarë. /rajonipres/


