Maskarada
Nga Imer Mushkolaj – Për diskursin me zagarë, moralin politik e politikanët e pamoralshëm. Për degradimin moral, njerëzor e qeverisës.
Një mikut tim assesi s’po i mbushej mendja se bisedat e postuara në Youtube, të zyrtarëve të lartë të shtetit dhe të PDK’së, ishin autentike. Thjesht, ai nuk po mund të pajtohej me faktin se ata po flitnin me njëri-tjetrin në atë mënyrë, me atë gjuhë, me atë diskurs.
Sepse, sipas tij, ata do të duhej të ishin njerëz të kulturuar – që respektojnë njëri-tjetrin, e jo që ia shalojnë njëri-tjetrit, që respektojnë institucione, shtet e qytetarë – e jo që flasin me epitete zagarësh.
Pavarësisht se bisedonin privatisht, ata nuk po flitnin për gjëra private, por për njerëz e ngjarje serioze, njerëz që janë në krye të institucioneve. Nuk ishin biseda fëmijësh, por personalitetesh që kanë në duar fatet e këtij vendi. Atyre që udhëheqin komuna, ministri, qeveri.
Nuk dua të merrem këtu me çështjen e përgjimit e privatësisë, por vetëm dua të them se ato që ata thonë janë shokuese, tmerruese, poshtëruese. Pavarësisht se bisedojnë si dosta.
Janë treguesi më i mirë se në çfarë mënyre dhe nga kush qeveriset ky vend.
Të ngjashëm me ta janë edhe ata që na kanë qeverisur herë me këta e herë me të tjerët, e hiç më të mirë nuk janë as ata që na kanë qeverisur me të tjerët, e tash po duan të na qeverisin me këta. Maskaradë e vërtetë, me klounë e lojëra të fëlliqta.
Pavarësisht tendencës fëmijërore për ta mashtruar opinionin se gjithçka ishte një fabrikim, ata që patën “fatin” t’i dëgjojnë bisedat e kuptuan se gjithçka kishte të bënte veçse me një degradim, moral e njerëzor. Sepse, ashtu siç flasin, ata edhe veprojnë. Ulët.
Adem Grabovci është personifikimi më real i qeverisjes së PDK-së. Ai që iu raporton të gjithë atyre që duhet dhe kërkon favore nga të gjithë. Ai që “sill” gjithçka. Ai që dëgjohet teksa i raporton edhe Kadri Veselit, pavarësisht se ai (zyrtarisht) në atë kohë nuk kishte ndonjë funksion në PDK, as në institucione.
Grabovci është ai që përpiqet të mashtrojë duke thënë se në PDK gjithçka është OK, por që demantohet rrastë nga bisedat e përgjuara, në të cilat Jakup Krasniqi shahet dhe fyhet në mënyrën më banale. Nga bashkëpartiakët e vet.
Grabovci është ai që luan me Kuvendin për teke të “shefit”, kërkon punë për dajë në qeveri, e pastaj flet për luftë kundër korrupsionit, demokraci e shtetndërtim. Maskaradë e gjysmë.
* * *
Për Adem Grabovcin me siguri keni dëgjuar edhe më parë, apo jo?
Sidomos para më shumë se tre vjetësh, kur ia çoi një letër publike Ramush Haradinajt, me një varg pyetjesh dhe akuzash. Në cilësinë e zëvendësministrit të Transportit, Grabovci thoshte atëherë se “Ramushi atributet e tij inkriminuese nuk mundet t’ia veshë askujt”.
Haradinaj, ndërkaq, pohonte atëbotë se nga Ministria e Transportit financohet SHIK-u dhe njerëzit e PDK-së. “Adem Grabovci është i ngarkumi, tagrambledhësi i kësaj qeverie, me i paguar këto grupe me krijuar epërsi ndaj PDK’së dhe me shkaktuar dëme njerëzve dhe partive të tjera në vend”, thoshte ai.
Tash, tre vjet pas, ish-shefi i Grabovcit nga ministria e Transportit, Fatmir Limaj, është në burg, Grabovci koalicionin me partinë e Haradinajt e sheh “shumë pozitiv dhe që do t’i ndihmojë vendit”, ndërkaq Haradinaj me partinë e tij pritet të gjejnë vend në gjirin e atyre që s’lanë gjë të zezë pa i thënë.
AAK po zgjedh të bashkëqeverisë me partinë, të cilën e cilësonte si shkollë të keqe politike dhe që i kishte shkaktuar shumë dëme Kosovës. Tash nuk flasin për SHIK-a, por duan të qeverisin bashkë me ta – për të mirën e Kosovës.
Deri tash, AAK është shquar si parti e interesave të ngushta. Nuk ka pse të jetë ndryshe as tash, në qeveri me PDK-në. Tekefundit, me cilët njerëz nga partia e tij do të qeverisë Haradinaj? Sigurisht me shumicën e atyre që me skandalet e shumta ia nxinë fytyrën për gati tre vjet me radhë, pasi ai iu dorëzua Hagës. Ata që presin mrekulli nga ky koalicion, janë humbës qysh në start. Zyrtarë të AAK-së mund të këndellen e forcohen në pushtet, por partia do të humb shumë politikisht.
* * *
Miku im ka qenë të premten në pritjen që i është bërë Ramush Haradinajt në Prishtinë. Ka shkuar atje për ta nderuar atë si luftëtar, jo si kryetar partie.
Një ditë pas publikimit të incizimeve, ai është bindur se bisedat e përgjuara të zyrtarëve të lartë të PDK-së nuk janë kurrfarë fabrikimesh e montazhesh. Por, e ka një tjetër dilemë. S’po i mbushet mendja kurrsesi se Haradinaj do të hyjë në koalicion me Thaçin, sepse e ka dëgjuar shumë herë atë dhe zyrtarë të partisë së tij të thonë se nuk do ta bëjnë një gjë të tillë.
Por, duket se do të zhgënjehet. Tashmë “koordinatori i përjetshëm”, Blerim Shala, është në postin e parapëlqyer, e të tjerë kolegë të tij partiakë së shpejti mund t’i shohim në kolltukë ministrash. Sepse, kur është në pyetje “interesi i Kosovës”, AAK nuk kursen. Maskarada vazhdon.