Uji Dea

Mashtruesit

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Enis Veliu – Isa Mustafa gjatë fushatës parazgjedhore në zgjedhjet e fundit nacionale në vend kishte premtuar hapjen e 100 mijë vendeve të reja të punës nëse arrin të marrë votat e elektoratit për ta drejtuar Qeverinë e vendit.

Por, tash pas një viti qeverisje, thuajse gjërat kanë rrjedhur krejt ndryshe, jo që nuk janë hapur vende pune, por janë rrezikuar edhe shumë nga ato ekzistuese.

Bazuar në të dhëna zyrtare të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, shihet shumë qartë se deri më 31 tetor të këtij viti, 287 mijë e 62 qytetarë kanë qenë kontribuues aktivë që do të thotë se kanë marrë paga të rregullta mujore nga institucionet e vendit, apo edhe nga kompanitë private.

Krahasuar më të dhënat e publikuara në raportin vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës shihet qartë se në vendin tonë zyrtarisht janë punësuar 1 mijë e 148 persona më shumë sesa një vit më parë.

Premtimet që ka dhënë kryeministri aktual, Isa Mustafa, por edhe zëvendësi i tij, Hashim Thaçi, kanë mbetur vetëm se deklarata elektorale për të marrë votën e qytetarëve të vendit.

Përfundimisht Qeveria e Isa Mustafës duhet të bëjë të pamundurën dhe të hapë vende të reja pune, si mundësi e vetme për të zbutur krizën sociale në vend.

Për çdo vit Qeveria e Kosovës po shpenzon qindra miliona euro në emër të asistencës sociale, por nuk po e merr mundin të hapë vende pune e të krijojë zhvillim ekonomik.

Shkalla e lartë e korrupsionit, sidomos në prokurimin publik në vend, edhe më tutje mbetet kancer i shtetit më të ri të Evropës. Qindra miliona euro para të shtetit përfundojnë në xhepa të politikanëve që kanë lidhje të ngushta me zyrtarë të korruptuar të prokurimit.

Mobi Casa

Kompani të mëdha botërore, tashmë ia kanë kthyer shpinën vendit tonë, sepse ato nuk kanë mundur të investojnë e të hapin vende të reja pune, pa ua paguar “tallin” të fortëve të politikës.

Gjithnjë duke u bazuar në të dhëna zyrtare shihet se kompanitë e huaja, në Kosovë po bëjnë biznes më shitblerje të tokave, e në hapjen e bankave të reja, kur dihet se në të dyja këto biznese numri i të punësuarve është fare i vogël, por fitimi i tyre është tepër i madh.

Gjatë këtij viti bankat në vend po arrijnë të shënojnë rekord të përfitimeve, që nga konsolidimi i këtij sektori, e derisa në anën tjetër kompani prodhuese që dikur ishin me nam janë në gjendje të rëndë financiare, si pasojë e konkurrencës së pandershme që në vazhdimësi po iu bëhet nga kompani të shteteve të rajonit (kryesisht nga Serbia), por edhe më larg.

Prodhuesit vendorë në vazhdimësi kanë qenë të ngulfatur nga importuesit e mëdhenj, por edhe nga vetë Qeveria që nuk u ka krijuar mundësi për zhvillim.

Si në asnjë vend të botës shteti te ne ka përkrahur dhe favorizuar tregtarë, e ka shkelur prodhuesit, ku këta të fundit jo që nuk kanë mundur të hapin vende të reja pune, por janë detyruar të zvogëlojnë edhe atë që e kanë pasur më parë.

Si kryeministri Mustafa, ashtu edhe zëvendësi i tij Hasim Thaçi, duhet të mbajnë premtimet e dhëna gjatë fushatës parazgjedhore në zgjedhjet e fundit nacionale në vend.

E nëse nuk do të ndodhë një gjë e tillë, atëherë opozita në zgjedhjet e ardhshme në vend, mund të përdorë gjatë fushatës sloganin që ish-kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar komunë të Prishtinës, Astrit Salihu, kishte përdorur gjatë fushatës parazgjedhore kundrejt kryeministrit aktual derisa ky i fundit ishte kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës. “Isa Mustafa premtoi, nuk e bëri, dështoi”.