Uji Dea

Mashtruesit na buzëqeshin prapë

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Imer Mushkolaj – Me premtimet që bëjnë, ta fyejnë inteligjencën dhe ta përdhosin dinjitetin. Sillen me ne si të jemi idiotë dhe kërkojnë që me votën tonë t’ua mundësojmë të na qeverisin me të tjera idiotësi. Një votë ndëshkimi për mashtruesit është më e pakta që mund të bëjmë më 8 qershor.

Karnevale me shumë zhurmë dhe me palaço që nuk të bëjnë të qeshin, por të të dhimbsen në shpirt. Kështu po ngjan pjesa më e madhe e fushtës parazgjedhore e cila, përtej imazhit të kuruar plot vezullim, për shumicën e partive politike nuk është gjë tjetër vetëm se paradë premtimesh megalomane, rrenash e mashtrimesh për qytetarët.

Pavarësisht se premtime të ngjashmë ose të njëjta kanë pasur edhe në zgjedhjet e kaluara, shefat partiakë që kanë qenë në qeverisje nuk e kanë për turp që ende t’i përsërisin të njëjtat, madje duke mos treguar pikën e përgjegjësisë për dështimet.

Ndihesh i fyer teksa dëgjon zyrtarë hipokritë të AKR’së duke kritikuar PDK’në, me të cilën kanë udhëhequr vendin. Madje edhe provojnë t’i ikin përgjegjësisë për atë që nuk është bërë.

Edhe më i fyer ndihesh kur shefat e PDK’së provojnë të na bindin se kësaj radhe e kanë përnjëmend, ndërkohë që gjatë shtatë viteve të qeverisjes nuk e kanë pasur fare në “radar” çështjen e papunësisë dhe të zhvillimit ekonomik, e premtimet janë harruar.

Bazuar në premtimet e PDK’së, tashmë dhjetëra mijëra qytetarë do të duhej të ishin të punësuar, ndërkaq tash sa muaj do ta kishin mundësinë që të lëvizin lirshëm nëpër Europë. Po sipas premtimeve të PDK’së të para katër vjetëve, madje edhe të para shtatë vjetëve, mirëqenia e qytetarëve do të ishte rritur, ndërkaq për korrupsion as që do të bëhej fjalë. Të gjitha këto tingëllojnë si një përrallë e bukur që mund t’iu tregohet fëmijëve në kopsht. Por, pavarësisht kësaj, edhe pas dy mandatesh në qeverisje Hashim Thaçi dhe PDK po na thonë t’i votojmë prapë. Sepse tash paskan një mision të ri.

Pse duhet t’i besojmë tash PDK’së dhe Thaçit se mund t’i realizojnë premtimet, nëse deri tash nuk na kanë dëshmuar se mund ta bëjnë një gjë të tillë? A mos po tregohemi paragjykues dhe të padrejtë, nëse tregohemi skeptikë dhe mosbesues?

Jo. PDK vetë na ka dhënë prova dhe arsye të forta për t’u treguar të tillë, gjatë gjithë viteve në qeverisje. Na ka bindur se di të premtojë e të mos realizojë. Na ka bindur se di të mashtrojë.

* * *

Mobi Casa

Nuk është se partitë tjera që po kërkojnë pushtetin ndryshojnë fort prej PDK’së, me ndonjë përjashtim. LDK’në e kemi parë në pushtetin qendror, madje bashkë me PDK’në dhe nuk ka me çfarë të krenohet shumë për atë që ka bërë. AAK po ashtu ka qenë në pushtet, bashkë me LDK’në. Vetëm Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka shijuar pushtetin.

As LDK, as AAK nuk mund të amnistohen nga të bërat dhe të pabërat gjatë qeverisjes së tyre. As njëra, as tjetra nuk mund të na bindin për ta harruar qeverisjen e tyre, në këmbim të premtimeve të reja. As njëra, as tjetra nuk mund të na bindin se qeverisja e tyre ka kaluar pa skandale. Madje, pikërisht keqqeverisja e këtyre dy partive ia përgatiti PDK’së terrenin që të vijë në pushtet në zgjedhjet e vitit 2007.

As LDK e as AAK nuk mund të mburren se programet e tyre janë krejt ndryshe prej atij të PDK’së. Përkundrazi, të krijohet përshtypja se gjithçka është bërë nën ndikimin e premtimeve megalomane të Hashim Thaçit – mbase me një dozë të vogël racionaliteti.

Janë pikërisht këto parti politike që i kanë ndihmuar Thaçit të qëndrojë deri tash në pushtet, duke mos treguar gatishmërinë që ta largojnë atë duke u bërë bashkë. Janë pikërisht këto parti politike që i kanë krijuar Thaçit komoditetin për të vazhduar keqqeverisjen.

Dhe nëse LDK ia del t’i fitojë zgjedhjet, këtë nuk do ta arrijë për shkak të punës së madhe që ka bërë sa ka qenë në opozitë dhe programit që ofron tash, por për shkak të votës ndëshkuese ndaj PDK’së, që do të ishte e palogjikshme po të mos ndodhë më 8 qershor.

* * *

Kur dëgjon premtimet e shumicës së partive politike, premtimet e Partisë së Fortë duken më racionalet. Kur sheh teksa na kërkojnë votën fytyra që simbolizojnë papërgjegjësinë e korrupsionin, të shkon mendja te sistemi gjyqësor i kapur nga politika, sepse të tillët do të duhej ta kishin vendin në bankat e të akuzuarve, pa e pasur mundësinë që të pretendojnë për t’u ulur në karrigat e Parlamentit. Prapa buqëqeshjes së tyre fshihet arroganca, hajnia, babëzia.

Këta njerëz, me premtimet që bëjnë, ta fyejnë inteligjencën dhe ta përdhosin dinjitetin. Sillen me ne si të jemi idiotë, që me votën tonë ua mundësojmë të na qeverisin me të tjera idiotësi. E se nuk jemi të tillë, duhet t’iu tregojmë më 8 qershor. Një votë ndëshkimi për mashtruesit është më e pakta që mund të bëjë secili prej nesh. Një votë ndëshkimi duke buzëqeshur, e duke ua ngrirë buzëqeshjen në buzë.