Mashtrimi opozitar mund të ndëshkohet
Votuesit nuk harrojnë lehtë se kush i gënjeu. Aleanca e dështuar kundër regjimit kriminal
Përçarja e opozitës dhe lënia në gjysmën e rrugës të kauzës 7-mujore, anulimi i protestës së marsit, karshi qytetarëve të Kosovës kanë dhënë një mesazh të keq dhe në zgjedhjet e ardhshme kjo mund t’u kushtojë shtrenjtë partive opozitare
Përçarja e opozitës shihet me sy kritik nga analistët politikë. Sipas tyre, votuesit janë zhgënjyer dhe opozita kosovare e ka defaktorizuar veten. Politologu Faik Krasniqi konsideron thotë se opozita e bashkuar për 7 muaj rresht tek qytetarët konsiderohej si shpresë, për të qeverisur dinjitetshëm dhe për ta larguar këtë Qeveri kriminale nga pushteti, prej së cilëve janë duke vuajtur. Opozitarët, përveç angazhimit për shtet me sovranitet, kundër marrëveshjeve të dëmshme, premtuan se do ta bëjnë edhe shkapjen e institucioneve nga krimi dhe korrupsioni, kur të vijnë në pushtet. “Ky ishte zotimi i opozitës së bashkuar, për 7 muaj sa ishin bashkë. Përçarja e opozitës dhe lënia në gjysmën e rrugës të kauzës 7-mujore, anulimi i protestës së marsit, karshi qytetarëve të Kosovës ka dhënë një mesazh të keq dhe në zgjedhjet e ardhshme kjo mund t’u kushtojë shtrenjtë partive opozitare”, tha Krasniqi., raporton Gazeta Kosova Sot
Ai thotë se akoma është një pikë shprese te lidhja e një koalicioni mes AAK-së dhe Nismës, mirëpo ky koalicion mes këtyre dy partive nuk është i mjaftueshëm që të përmbyset ky pushtet kriminal dhe mafioz. Ribashkim për ndryshim Krasniqi konsideron se opozita duhet të ribashkohet, ashtu sikur që ishte dhe të fuqizohet me një marrëveshje të detajuar për të ardhmen e saj edhe në qeverisje të vendit.”Ky koalicion duhet të zgjerohet me të gjitha partitë opozitare, duke përfshirë edhe shoqërinë civile dhe personalitetet e pavarura. Në të kundërtën, nëse partitë opozitare futen në zgjedhje veç e veç, e jo si një opozitë e bashkuar, bashkë me shoqërinë civile dhe intelektualët e pavarur, nuk ka pse të shkohet në zgjedhje, sepse rezultati i atyre zgjedhjeve nuk do të kishte ndonjë ndryshim të madh nga ai i zgjedhjeve të vitit 2014, përpos që LDK-ja do ta humbiste vendin e dytë”, tha Faik Krasniqi. Analisti politik, Blerim Burjani, konsideron se fillimi i bashkimit të këtyre partive politike nuk ka qenë serioz. “Përçarja ka qenë e dijshme se do të ndodhë, nëse nuk ka rezultat dhe efikasitet në kërkesat e tyre për kohë të caktuar.
Është parë që nga fillimi se ka pasur shumë gabime strategjike dhe jo inteligjente politike. Veprimi i pakoordinuar me një plan të përbashkët dhe mos dija ishte evidente, edhe pse rrethanat e krijuara dhe problemet që janë shkaktuar nga keq qeverisja, korrupsioni, pasurimi pa bazë ligjore, shkapërderdhja e buxhetit dhe shfrytëzimi i pamëshirshëm i taksave të qytetarëve janë shumë fakte që dëshmojnë se nuk mund t’u besohet më qeverisja atyre që janë në pushtet dhe duhet dhënë përgjegjësia për gjendjen që mbretëron në vend, edhe për pasurimin e kësaj klase politike që u bë në kurriz të varfërisë”, tha Burjani.”Pushtetet anarkike prishen më lehtë se diktatura, në momentin kur të fillohet që të merret në përgjegjësi para organeve të drejtësisë, ky zinxhir i udhëheqjes do të fillojë të shkatërrohet, madje një pjesë e tyre do të fillojnë ikjen jashtë shtetit, e një pjesë tjetër i nënshtrohet drejtësisë dhe iu konfiskohet pasuria e pabazë”, theksoi ai./kosova sot/


