MASHT-i mban sekret korrigjimin e teksteve skandaloze
Zero transparencë nga Ministria e Arsimit. Ministrit Bajrami i shtohet lista e dështimeve
“Mosbërja publike nga ana e MASHT-it e raportit të korrigjimeve të teksteve shkollore lë të dyshohet se ministri i Arsimit qëllimisht është duke e prolonguar një gjë të tillë për mbrojtjen e shtëpive botuese, që janë të lidhura ngushtë me drejtuesit e MASHT-it”, ka thënë publicisti Florim Zeqa, duke shtuar se mospërcaktimi i afateve kohore për procesin e rishikimit të teksteve lë hapësirë për abuzimin e mëtutjeshëm të MASHT-it me tekstet shkollore, të përfitimit material përmes shtëpive botuese, duke dëmtuar kështu buxhetin e shtetit dhe xhepin e qytetarëve njëkohësisht
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në përfundim të vitit 2015, pati premtuar se në fillim të muajit mars do të dalë me të dhënat se a duhet të korrigjohen tekstet shkollore, që disa nga ta kanë gjuhë fyese, përçarëse dhe shumë prej tyre të padenja për nxënësit tanë.
Jozyrtarisht gazeta mëson se janë mbajtur disa takime midis MASHT-it dhe shtëpive botuese për këtë çështje, por MASHT-i ende nuk ka një datë se kur do ta bëjë publik raportin, nëse do ta bëjë një gjë të tillë. Gazeta gjatë ditës i ka dërguar pyetje ministrit dhe shefes së zyrës për media për këtë çështje, por ata nuk kanë kthyer asnjë lloj përgjigje dhe gjatë gjithë kohës telefonat e tyre kanë qenë të zënë. Megjithatë, ata që e njohin arsimin thonë se nuk do të ketë transparencë për këtë çështje, kjo për shkak se edhe gjatë hartimit të raporti (nëse është bërë) MASHT-i e ka mbajtur të fshehur punën që bën.
Njohësi i mirë i arsim, Albrim Badallaj mendon se problem numër një në MASHT është transparenca. “Padyshim që mostransparenca e Ministrisë në këtë rast flet më së miri se ky proces nuk është duke shkuar mbarë. Kjo formë na ngrit dyshime që korrigjimi i teksteve nuk është i rregullt apo ndoshta MASHT-i është duke u munduar t’i amnistojë në një lloj forme shtëpitë botuese që janë në këtë proces. Unë dua të besoj që ky proces nuk ka ‘allishverishe’, sepse është një çështje tejet e ndjeshme sa i përket arsimit, zhvillimit të tij dhe ngritjes së cilësisë”, tha ai./kosova sot/


