RCCOLA

Masat e paralajmëruara, Kurti: Bashkimi Evropian te Kosova e gjen aleatin më të sinqertë e më të qëndrueshëm

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka folur sot pas paralajmërimit të disa masave kundër Kosovës të prezantuara të hënën nga Komisioni Evropian.

Kurti gjatë mbledhjes së qeverisë tha se Bashkimi Evropian tek Kosova e gjen aleatin më të sinqertë e më të qëndrueshëm.

Ai po ashtu theksoi se me raste kanë qenë kritikë ndaj BE-së, por asnjëherë cinikë e të hidhëruar.

“Komisioni Evropian ka prezantuar dje para Parlamentit Evropian një listë të masave kundër Kosovës. Bashkimi Evropian tek Kosova e gjen partnerin e saj dhe aleatin më të sinqertë dhe të qëndrueshëm në rajon të vlerave evropiane, parimeve demokratike dhe interesave afatgjate. Kosova të tillë e ka qeverinë, të tillë e ka popullin. Me raste kemi qenë kritikë ndaj BE-së por asnjëherë cinike e të hidhëruar. E nuk jemi as sot. Vitin e kaluar dorëzuam aplikimin tonë për anëtarësim e atë e bëmë duke besuar se meritojmë që në një të ardhme të parashikueshme të jemi pjesë e këtij unioni”, ka thënë Kurti, raporton Telegrafi.

Mobi Casa

Kryeministri po ashtu tha se raporti i fundit për Kosovën i hartuar nga Komisioni Evropian e përshkruan dhe e vlerëson Kosovën në dritën më pozitive.

Ndryshe, Komisioni Evropian të hënë para Parlamentit Evropian ka prezantuar disa masa kundër Kosovës.

Ato do të përfshijnë pezullimin e programit të fondeve për Kosovën, pezullimin e mbështetjes së vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimin e kontratave, pezullimin e pjesëmarrjes në ngjarjet e nivelit të lartë, pezullimin e vizitave dypalëshe, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor që nuk do të procedohet në këtë moment. /Telegrafi/