Marsh në mbështetje të rektorit
“Jo Pushtet. Universitet”, “Jo UPlagjiat”, “Para për Arsim”, “Autonomi”…, janë disa nga mesazhet që janë përcjellë nga studentë, qytetarë e përfaqësues të shoqërisë civile, që marshuan të premten në mbështetje të rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ramadan Zejnullahu.
Të nisur nga Teatri Kombëtar, përgjatë sheshit “Nëna Terezë” dhe pastaj para Rektoratit të UP-së, marshuesit kanë kërkuar që grupet kriminale të qëndrojnë larg Universitetit. Dardan Konjufca, aktivist i Klubit Politik të Studentëve, ka thënë se që “nga viti 1999 grupe të krimit kanë tentuar që gjithmonë të kapin UP-në përmes grupeve dhe partive të ndryshme politike”. “UP në vend se të ishte një vatër e dijes dhe shkencës është shndërruar në një vatër të krimit”, ka thënë Konjufca.
Ai tha se sa më e madhe të jetë tentativa e këtyre grupeve të kapin UP-në, aq më i madh do të jetë zëri qytetar dhe organizimi studentor brenda universitetit. “Marshi i organizuar sot, nuk është as i pari e as i fundit”, ka paralajmëruar ai./zeri/


