Marrin superpaga e bonuse, ndërmarrjet në falimentim

/ 9 minuta lexim

Ekzekutivi i pafuqishëm të normalizojë kompanitë publike

Analistë të ekonomisë, përfaqësues të opozitës dhe ata të shoqatave të bizneseve, njëzëri pajtohen në vlerësimin e tyre se shumica e NP-ve në Kosovën e pasluftës janë në një kolaps total dhe që e keqja të jetë më e madhe shteti dhe qeveria po u japin subvencione. Ndërsa analistët tërheqin vërejtjen se në të njëjtën kohë, me gjithë pozitën e tyre të rëndë afariste, pagat e menaxhmenteve dhe bordeve të NP-ve, janë më të mëdhatë në Kosovë, andaj me të drejtë e shtrojnë pyetjen se deri kur do të tolerohet një gjë e tillë. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresën elektronike të MZHEsë, për të mësuar për këtë çështje zyrtarët e MZHE-së nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën.

Deputeti aktual i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Salih Salihu (PSD), për gazetën “Kosova Sot”, thotë se koha po dëshmon se Qeveria duhet ndryshuar qasjen e deritanishme dhe të kërkohet më shumë llogari nga menaxhmentet dhe bordet e NP-ve.”Veç saj, duhet ndryshuar qasja e deritashme e përzgjedhjes së kryeshefave të disa ndërmarrjeve publike, sepse duhet të jenë ekspertë të asaj fushe, e jo që në këto poste të zgjidhen militantët partiakë, në vartësi se cili koalicion ka qenë apo është në qeverisje. Andaj, duhet kërkuar shumë më shumë punë e llogaridhënie nga kryesuesit dhe anëtarëve të bordeve të NPve”, theksoi ai.

Emërimet politike, rrënuese për kompanitë

Lideri i AKB-së, Agim Shahini, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se ka shpresën se me ndryshimet e bëra në Ligjin e ri për menaxhimin e NP-ve dhe NSH-ve pritet se gjendja atje do të ndryshojë për të mirë.”Me këto ndryshime pritet që nga drejtuesit dhe anëtarët e bordeve të NP-ve në të ardhmen do të ketë shumë më tepër përgjegjësi dhe llogaridhënie më të madhe në këto poste sesa që ka qenë deri më tani, duke dhënë para shtetit një përgjegjësi shumë më të ashpër për punën ose mospunën e bërë si dhe afarizmin e këtyre NP-ve”, u shpreh ai.

Sipas Shahinit, mos të çuditemi se si emërimet në bordet e NP-ve dhe NSH-ve me të drejtë kanë qenë dhe janë bërë objekt diskutimi dhe reagimi nga ana e shoqërisë civile. “Sepse, ata me të drejtë konstatojnë se në këto borde ka pasur vetëm politizim dhe nepotizëm, pasi shumica e të emëruarve janë figura politike, të afërt me politikën dhe familjarë të politikanëve. Vërtet është për keqardhje, pasi që nga përfundimi i luftës e deri më sot në të gjitha NP-të kosovare qeveritë e deritashme të Kosovës e kanë bërë emërimin e anëtarëve të bordeve publike përmes një procesi që lirisht mund të themi se këto emërime konsiderohen të politizuara, pasi që të emëruarit konsiderohen njerëz që përfaqësojnë politikën ose që janë të lidhur familjarisht me figura të njohura politike”, theksoi ai.

“Qeveria Haradinaj duhet që ta ndryshojë qasjen dhe mos të toleron që sikurse në të kaluarën edhe në këtë vit që porsa kemi hyrë të bëhen këso lloje të emërtimeve, them lirshëm se këto emërime nuk do të sjellin ndonjë përparim në ndërmarrjet publike, pasi emërimet e këtilla po bëhen në kundërshtim me normat demokratike të qeverisjes së mirë dhe do ta dëmtojnë zhvillimin e këtyre ndërmarrjeve publike dhe vetë zhvillimin ekonomik, si një nga prioritetet e proklamuara të kësaj qeverie”, shpjegon më tej Shahini.

Klientelizmi stërmbushi ndërmarrjet me joprofesionistë

Deputeti i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se duhet një transparencë e plotë nga ana e bordeve të ndërmarrjeve publike.”Ndaj erdhi koha që Qeveria ‘Haradinaj’ duhet të ndërmarrë masa të shpejta, me qëllim që të shpëtojë diçka nga ajo që ka mbetur në këto NP. Prandaj, edhe duhet një transparencë e plotë nga ana e bordeve të këtyre ndërmarrjeve dhe nga ana tjetër edhe Komisioni për Zhvillim Ekonomik duhet që të kërkojë raporte të detajuara për performancën e këtyre ndërmarrjeve, me qëllim që më vonë të ndërmerren masa”, vlerëson ai.

“Edhe performanca e NP-ve në të gjitha raportet e auditimeve kanë dalë si jo të suksesshme dhe të cilat kanë bërë shkelje të mëdha gjatë veprimtarisë së tyre. Si shembull është PTKja, që jo moti ishte ndër kompanitë më profitabile në vend, si dhe vlera e saj ka qenë miliardëshe, tani shumë shpejt nëse Qeveria nuk ndërmerr ndonjë masë që të shitet ajo kompani do të falimentojë”, shprehet më tej Neziraj. “E keqja është se në këto ndërmarrje kanë shërbyer vetëm për të punësuar klientelë të njerëzve të fuqishëm në vend dhe që menaxhmenti dhe bordi i këtyre ndërmarrjeve kanë marrë paga të larta, që kanë qenë më të larta edhe se paga e kryetarit ose të kryeministrit të vendit”, potencoi ai.

Hidromorava

Edhe Qeveria ‘Haradinaj’ dështoi Analisti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se jo vetëm që shumica e NPve që janë në kolaps, por janë edhe afër falimentimit total dhe shtrohet pyetja se përse shteti po jep subvencione për këto ndërmarrje publike që janë afër falimentimit apo në emër të këtyre NP-ve, dikush paratë e subvencionet po i fut në xhepat e tyre.”E vetmja mënyrë për ndërprerjen totale të dhënies se subvencioneve tek këto ndërmarrje publike që janë në kolaps është ardhja në pushtet e një klase të re politike, pra zgjedhja e presidentit të ri dhe Qeverisë së re, se si po shihet edhe kjo qeveri aktuale nuk po bën asgjë për parandalimin e shpëlarjes se parasë publike”, theksoi ai.

Grapci thekson se zhvatja e NP-ve në Kosovë do të vazhdojë derisa të gjithë ata që janë të inkriminuar politikë të arrestohen dhe, sipas tij, kjo pritet të ndodhë me fillimin e punës nga Gjykata Speciale.”Kam shpresuar kot se me Qeverinë e Haradinajt kjo problematikë do të përfundojë në të mirë të qytetarëve tanë dhe jo ndaj atyre që e varfëruan qytetarin, duke ua vjedhur paratë e tyre. Prandaj, them se zhvatja e NP-ve në Kosovë do të vazhdojë derisa të gjithë ata që janë të inkriminuar politikë të arrestohen dhe kjo pritet që të ndodhë me fillimin e punës së Gjykatës Speciale në Kosovë.

Pra, mbetem me shpresë se këto skandale do të përfundojnë në vitin 2019″, shprehet ai. Sipas Grapcit, pas lufte këtu është krijuar një traditë e brishtë, sepse shumica e bordeve të NP-ve po konsiderohen strehë e familjarëve dhe militantëve partiakë të partive në pushtet dhe gjithashtu konsiderohen si strehë e krimit dhe korrupsionit, sepse nuk ka asnjë mbikëqyrje dhe llogaridhënie mbi punën që bëhet.

Dështimet e pandëshkuara

“Si shembull në këtë drejtim të qasjes së gabuar duhet treguar se si ka dështuar edhe draft-statuti i Kombinatit ‘Trepça’ për shkak të pazareve politike. Dhe, për pasojë e këtyre pazareve politike në mes të anëtarëve të koalicionit qeverisës, ka mbetur pa u themeluar dhe aprovuar edhe draft- statuti i Kombinatit ‘Trepça’, që fuqishëm po refuzohet nga sindikata e këtij kombinati. Kjo papërgjegjësi e anëtarëve të bordeve ka bërë që deri më sot ende nuk kam parë edhe një shembull të marrjes së përgjegjësisë nga ndonjë bord për gjendjen e organizatës të cilën e udhëheqin edhe kur situata në to do ta kërkonte një gatishmëri të tillë. Prandaj, falë kësaj papërgjegjësie edhe ka bërë që të gjitha qeveritë e deritanishme, si edhe Kuvendi i Kosovës, nuk janë marrë me përgjegjësitë e dështimeve nëpër këto ndërmarrje publike”, u shpreh Salih Salihu për “Kosova Sot”.

Pagat astronomike

Ligjëruesi universitar i lëndëve të ekonomisë dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Muhamet Mustafa (LDK), për gazetën “Kosova Sot” thotë se e keqja e deritashme e punës së këtyre bordeve ka qenë se me gjithë performancën e dobët asnjëherë Qeveria apo Kuvendi nuk kanë ndërmarrë ndonjë vendim me qëllim që t’u zvogëlohen pagat astronomike të bordeve të këtyre NP-ve dhe NSH-ve.”Për këtë qëllim në mandatin e kaluar të Kuvendit të Kosovës, anëtarët e komisionit, pa marrë parasysh përkatësinë partiake, ishin marrë vesh se në ndryshimet për Ligjin, menaxhimin e NP-ve dhe NSH-ve të gjitha anëtarët e bordeve dhe kryesuesit e tyre duhet kërkuar shumë më tepër përgjegjësi dhe llogaridhënie për punën apo mospunën e tyre”, theksoi Mustafa.

Nepotizmi me pasoja

Ligjëruesi i lëndëve të ekonomisë, Nehat Maxhuni, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se pa asnjë dyshim bordet e ndërmarrjeve publike vazhdimisht janë të politizuara.”Prandaj me të drejtë që nga pavarësia e deri më sot shoqëria civile tashmë ka dhënë vërejtje të shumta për emërimet politike që po bëhen në bordet e ndërmarrjeve publike. Sepse në këto borde ka vetëm politizim dhe nepotizëm, pasi shumica e të emëruarve janë figura politike, të afërt me politikën dhe familjarë të politikanëve. Do të kemi veprime të tilla nga kjo klasë politike, e cila është e koncentruar në keqpërdorimin e së mirës publike për interesa private, familjare dhe partiake, që nënkupton se deri atëherë do të kemi borde të politizuara në vend “, theksoi ai.

(Kosova Sot)