Marrëveshjet e pazbatuara
Vetëm katër nga 16 marrëveshjet e arritura në mes të Prishtinës dhe Beogradit që nga vitit 2011 janë zbatuar tërësisht. Ndërsa, marrëveshjet tjera karakterizohen me ngecje të mëdha në zbatimin e tyre.
Kjo është thënë, të premten, gjatë publikimit të raportit “Big Deal: Të Humbur në ngecje” të përgatitur nga BIRN Kosova, Qendra për Kërkime, Transparencë dhe Llogaridhënie – CRTA nga Serbia, si dhe Internews Kosova. Ndërsa sipas panelistëve pengesa kryesore në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi është mungesa e vullnetit politik. Kurse të dyja palët janë kritikuar për mungesë të transparencës në këtë proces.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Samuel Zhbogar, ka thënë se efektet e dialogut po vërehen, megjithëse ka thënë se ka edhe ngecje në segmente të caktuara. “Kemi kryetarë të komunave veriore që punojnë me ligjet e Kosovës, kemi prezantimin e serbëve në institucionet e Kosovës, nuk keni më barrikada të vërteta në veri. Ajo te ura është më shumë figurative.
Kemi strukturat paralele të integruara ose në proces të integrimit në Policinë e Kosovës”, ka deklaruar Zhbogar. Ai më tej ka shtuar se normalizimi i marrëdhënieve ndërfqinjësore është në favor të të dyja vendeve./zeri/


