RCCOLA

Marrëveshja Kosovë-BE për deeskalimin, Haziri: Kurti në të gjitha krizat bëri një hap para e dy mbrapa

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Qeveria e Kosovës arriti një dakordim prej katër pikash me Bashkimin Europian për të shtensionuar situatën në veri të vendit. Ndër këto pika ishte tërheqja e 25 përqind të policisë nga ndërtesat komunale dhe përreth tyre si dhe mbështetja për mbajtjen e zgjedhjes pas verës.

Gazeta Express

Pranimin e pjesërishëm të planit të BE-së pas tensioneve dhe masave që iu aplikuan Kosovës nga SHBA e BE, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, po e sheh si politikë të ecjes një hap para e dy prapa.

Në një deklarim për Gazetën Express, Haziri tha se kjo qasje Kosovës ia dëmton imazhin dhe e prezanton paarsyeshëm si burim i krizave.

“Këta janë hapa mbrapa të kryeministrit Kurti. Ai në të gjitha krizat e shkaktuara në veri, të gjitha bllokadat, bojkoti dhe tensionet që kanë qenë si pasojë e marrëveshjeve apo arrestimeve, ka bërë një hap para e dy mbrapa. Edhe me këtë rast, u desh që Kosova të përballohet me masa ndëshkuese për t’u tërhequr mbrapa. Ky lloj plani i tërhequr i dy hapave prapa lë pasoja në imazh dhe Kosovës ia jep historinë e një vendi me kufizime dhe masa ndëshkuese për mos bashkëpunim, mos koordinim dhe jo konstruktivitet. Praktikisht, na bën burim të krizave pa asnjë lloj arsye”.

Haziri tha se këtë përfaqësim Kurti ia dha pa të drejtë “popullit më europian e që është populli i Kosovës”.

Në pikën e tretë të kësaj marrëveshje Kosovë-BE thuhet se “Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve”.

Si e sheh Haziri këtë pikë?

“Kjo nënkupton shpalljen e zgjedhjeve të reja dhe krijimin e ambientit të qëndrueshëm për zgjedhjet. Mesazhi për serbët është që të mos provojnë bojkot se dëmtohen në përfaqësim, ndërsa për qeverinë e Kosovës që të krijojë ambient të qëndrueshëm politik, pa prezencë të madhe të policisë në mënyrë që qytetarët të votojnë në mënyrë të lirë për kandidatura”.

UBT

Nënkryetari i LDK-së për kryetarët shqiptarë të komunave veriore thotë se që të gjithë u përdorën politikisht atje. Ai madje thotë së e gjithë kjo ishte “një agjendë e fshehur” e kryeministrit.

“Jo vetëm Lulzim Hetemi i Leposaviqit, i cili është bërë gardian i sovranitetit dhe ligjshmërisë, më shumë në emër të qeverisë, por të gjithë kryetarët e komunave duhet të ndihen të përdorur politikisht atje dhe janë të përdorur politikisht nga ky kryeministër, pa asnjë lloj arsye. Ata janë bërë peng politik, për një agjendë e cila po del se është e fshehur nga kryeministri, nuk e di qytetari i Kosovës, nuk e dimë ne dhe aq më pak, ndoshta edhe partnerët ndërkombëtar. Tashmë, ajo që doli në këto dy ditët e fundit në sipërfaqe, tregon qartë që kjo agjendë e fshehur e kryeministrit edhe në kuadër të dialogut dhe në kuadër ligjshmërisë dhe sovranitetit në Kosovë, ka qenë një agjendë e tij dhe e një rrethi të ngushtë të tij, pavarësisht dëmeve politike, ekonomike dhe në diplomaci që ia ka shkaktuar Kosovës”, thotë Haziri.

I pyetur nëse pasi të ndodhë shtensionimi Kosovës do t’i kërkohët të fillojë zbatimin e marrëveshjes me themelimin e Asociacionit

“Tashmë marrëveshja e Ohrit është bërë konkluzion në Këshillin e Europës. Çdo lloj progresi e ecje, e ngadalshme ose e shpejtë, barometër do ta ketë zbatimin e marrëveshjes Kurti-Vuçiq. Përveç pakove e kushteve të tjera që vendet tjera i kanë prodhuar, negociuar e zbatuar. Kosova do ta ketë një kusht shtesë në këtë pjesë të veçantë dhe ai është zbatimi i kësaj marrëveshjeje. Kurti ia ka vendosur kësaj Republike një guri të rëndë në qafë i cili do të jetë shumë i rëndë të bartet në proceset e integrimeve, edhe në BE e edhe në NATO”.

Haziri, i cili është edhe përgjegjësi i LDK-së për dialog me Serbinë, ditë më parë tha se politikanët e përgjegjshëm në momente të vështira marrin vendime të vështira dhe ndaj partia e tij do të hartojë një draft-statut.

Por, për këtë Haziri tha se paralajmërimin i prezantimit të këtij drafti për Asociacionin ka të bëjë vetëm në kohë kur LDK është në qeverisje.

“Vetëm kur jemi qeverisje me mandat, atëherë i bie obligim ligjor. Deri atëherë, ne nuk kemi asnjë lloj obligimi, asnjë lloj qëllimi që të draftojmë diçka të tillë. Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar Qeverinë si të vetmen përgjegjëse për dialogun. Ligji për ratifikim të marrëveshjes së parë thotë se qeveria është përgjegjëse për implementimin e tij ( ku është edhe asociacioni). Nëse LDK futet në këto punë, bëhet dorë e zgjatur e Kurtit dhe e arsyeton Kurtin ta implementojë Zajednicën, të cilën s’ka qare pa e implementuar, por pse përmes LDK-së!?”.

Ai tha se s’ka pse identifikohet LDK me Asociacionin.

“Nuk ka qenë asociacioni asnjëherë pjesë programore e LDK-së. Kur kemi qenë në qeveri, na ka obliguar ligji dhe e kemi zbatuar si ligj. Tani qeveri është VV, jo LDK. Si do t’ia trajtojë LDK vetëmenaxhimin e Kurtit si pjesë e asociacionit!?”.