Marrëveshja e Telekomit, një mashtrim i Qeverisë

Eksperti i njohur, Shyqyri Haxha, kritikon negociatorët kosovarë. Kodin e merr Austria, Kosova jashtë ITU-së
Sipas ish-drejtorit të PTK-së, Shyqyri Haxha, Kosova nuk do të trajtohet si shtet dhe kjo marrëveshje është e dëmshme dhe aspak në favor të Kosovës
Drejtori i dikurshëm i PTK-së, Shyqyri Haxha, dhe deputetë nga opozita kanë bërë akuza në adresë kryenegociatores së Kosovës në bisedimet me Serbinë, ministres Edita Tahiri, se ajo me deklaratat e saja bombastike po mundohet që t’i mashtrojë qytetarët e Kosovës lidhur me marrëveshjen e arritur me palën serbe për telekomin.
Me këtë marrëveshje Austria më 4 janar ka aplikuar në ITU që t’i alokohet Kosovës kodi 383. Ish-drejtori i PTK-së, Shyqyri Haxha, këtë marrëveshje e ka cilë- suar të dëmshme për Kosovën dhe si e tillë ajo nuk është aspak në favor të Kosovës. “Kosova nuk do të trajtohet si shtet, sepse Austria aplikon për kode, prandaj kjo është mënyra që t’i iket pranimit të Kosovës si anëtare me drejta të plota në ITU”, ka thënë ai. “Kodi i jepet Austrisë dhe jo Kosovës dhe kjo është e njëjtë sikurse që ka qenë deri më tani, që Kosova e ka përdorë kodin telefonik të Monakos dhe Sllovenisë e posaçërisht kodin telefonik të Monakos”, tha Haxha. Sipas tij, ai kod është pronë e Austrisë dhe jo pronë e Kosovës./kosova sot/