Marrëveshja e pazbatuar
Plot dy vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, shumë pika të saj kanë mbetur të pazbatuara. Afatet e vëna për zbatimin e saj janë shkelur disa herë, derisa Serbia deri më tani ka implementuar vetëm ato pika për të cilat ka pasur interes, shkruan sot Koha Ditore.
Barrikada-park mbi lumin Ibër vazhdon të jetë simbol i ndarjes mes jugut e veriut. Megjithatë, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë përmendur shumë të arritura nga kjo marrëveshje, përcjell Koha.net. Por, sipas analistëve, problemet vazhdojnë të jenë të njëjta, ku mungojnë liria e lëvizjes dhe dora e shtetit të Kosovës në veri.
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, e cila pati udhëhequr dialogun teknik, para atij politik, ka thënë se duhet shikuar gjendjen e barrikadave para arritjes së marrëveshjes, më 19 prill.
Por, sipas analistëve,me gjithë pritjet që Marrëveshja e 19 prillit do të sjellë sukses të madh në raportet mes dy vendeve dhe mundësinë që Kosova ta rrisë prezencën e saj në veriu e Kosovës, rezultatet tregojnë të kundërtën.


