Marrëveshja e ndezi “flakë” Kuvendin

Marrëveshja e arritur më 10 shkurt në Bruksel, për sistemin e drejtësisë në veri të Kosovës, është përcjellë me tone të ashpra nga ligjvënësit kosovarë.
Jo vetëm deputetët opozitarë, por edhe ata të partive në pushtet e kanë quajtur këtë marrëveshje të dëmshme, e cila nuk siguron sistemin unik të gjyqësorit, ndërsa nga koalicioni u konsideruar produktive.
Ndonëse u zhvilluan gati 10 orë negociata në Bruksel në mes kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiq, për të arritur marrëveshje për fushën e drejtësisë, debat i gjatë disaorësh u zhvillua edhe të enjten në Kuvendin e Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa, i cili tashmë ka marrë edhe mbështetjen ndërkombëtare, raportoi para deputetëve të legjislativit se me Marrëveshjen e arritur në kryeqytetin evropian do të shuhen të gjitha gjykatat paralele që kanë ekzistuar në veri dhe sipas tij, Marrëveshja ruan karakterin unitar të drejtësisë në Kosovë./zeri/