Uji Dea

Maqedonia, kuqezi me Shkëndijën në Champions

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Maqedonia do të përfaqësohet me ngjyrat kuqezi në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, shkruan sot gazeta Zëri.

Shkëndija e ka siguruar edhe matematikisht titullin e kampionit fundjavën që shkoi, pasi e dominoi totalisht futbollin maqedonas, duke e dërrmuar rivalin kryesor, Vardar, të cilin e ka lënë prapa me plot 26 pikë, kur kanë mbetur edhe shtatë xhiro pa përfunduar sezoni.

Pas 29 xhirosh të zhvilluara, Shkëndija ka 75 pikë, një numër rekord dhe historik pikësh të grumbulluara për këtë klub brenda një sezoni.

Pas sukseseve të njëpasnjëshme në Europa League në edicionet e fundit, ekipi tetovar sezonin e ardhshëm do të luajë në Ligën e Kampionëve.

Pa dyshim, merita të mëdha për këtë ngritje të klubit kuqezi ka edhe kompania “Ecolog” me pronar Lazim Destanin, që e kanë bërë Shkëndijën model dhe shembull për klubet tjera.

Osmani: Jemi të lumtur, s’do të ndalemi me kaq

Edhe trajneri Qatip Osmani i ka meritat e tij, pasi e menaxhoi mjaft mirë ekipin, i cili e fitoi titullin e dytë në histori të klubit, pas atij të fituar në vitin 2011.

Hidromorava

“Kampionati nuk është mbyllur ende, por Shkëndija u shpall kampione dhe jam i lumtur për këtë fakt. Shpresojmë se Shkëndija nuk do të ndalet vetëm me titullin e kampionit, shpresojmë ta marrim edhe Kupën e Maqedonisë. Gjithashtu, edhe në kupat e Evropës së paku ta përsërisim rezultatin e sezonit të kaluar”, tha fillimisht Osmani.

“Me ardhjen e ‘Ecologut’ e pashë se Shkëndija po shkon në një drejtim ku u bë me të vërtetë ekip serioz, i madh dhe, edhe pse nuk isha pjesë e këtij ekipi, shpresoja që Shkëndija të shpallet kampion. Fati deshi që unë të jem trajner dhe nën udhëheqjen time Shkëndija bëhet kampion dhe jam jashtëzakonisht i lumtur për këtë gjë”, vazhdoi ai.

Osmani thekson se e kishte në dispozicion një ekip cilësor, prandaj edhe pritej nga Shkëndija që ta dominonte futbollin maqedonas këtë edicion.

“Unë isha i bindur se do të bëhemi kampionë, edhe pse konkurrenti ynë u dorëzua shumë herët, ndoshta për shkak të ‘fajit’ tonë pasi me të vërtetë këta djelmosha i dominuan kundërshtarët dhe meritat më të mëdha u shkojnë atyre”, përfundoi “Qato”.

Cuculi: E duam edhe Kupën

I lumtur për suksesin e tetovarëve ishte edhe futbollisti Ardian Cuculi, që shpreson se Shkëndija do ta fitojë edhe Kupën.

“Është hera e dytë që Shkëndija e fiton titullin kampion dhe unë për fat të mirë në të dyja rastet isha pjesëtar i kësaj familjeje të madhe dhe këtij suksesi të madh. Është një privilegj i madh dhe kemi emocione të shumta. Shpresojmë të mos ndalemi nga ky ritëm dhe për herë të parë në histori të klubit t’i fitojmë të dy trofetë”, deklaroi futbollisti shqiptar. /Zëri/