Maqedonasit, “padronë” me paratë e shqiptarëve

/ 8 minuta lexim

Nga Emin Azemi – Ata që kalojnë nëpër Maqedoni, para vetes u dalin dy peizazhe – kontrast: pjesa Perëndimore, e pyllëzuar, e gjelbëruar dhe e populluar, dhe pjesa Lindore, e zhveshur dhe gati e braktisur.

Këto janë ndarjet që i ka bërë natyra dhe njeriu e ka të vështirë ta konkurrojë natyrën, mirëpo njeriu mund ta fisnikërojë atë. Në pikëpamje demografike e urbane vërehet një asimetri e skajshme, për shkak të migrimit të madh të popullsisë nga Maqedonia Lindore në Shkup. Prandaj, jo rastësisht për Shkupin thuhet se është gati e gjithë Maqedonia.

Maqedonasit, peng të snobizmit industrial

Politika demografike e urbane e Maqedonisë edhe në këtë drejtim ka qenë e padrejtë ndaj banorëve të saj. Në njërën anë ka nxitur migrimin (maqedonas) fshat – qytet, në anën tjetër ky migrim ka qenë më i orientuar drejt Perëndimit (shqiptarët). Mërgimtarët maqedonas të ardhur nga Maqedonia Lindore në Shkup u bënë “padronë” të mëdhenj, kurse mërgimtarët shqiptarë të Maqedonisë Perëndimore u bënë rrogëtarë të metropoleve evropiane.

Por, Maqedonia Perëndimore edhe sot e kësaj dite është më e bukur, më e gjallë dhe me një urbanistikë rurale për çdo lakmi. Parazitizmi maqedonas me vite të tëra kishte prodhuar “njeriun e shtetit”, i cili punonte në stilin “tun e ha” dhe harxhoi ardhmërinë e vet duke ia kthyer shpinën fshatit për një trohë snobizëm industrial në kryeqytet. Atje la vetëm disa pleq, si thëngjij gjysmë të ndezur, që japin do shenja jete.
Dehumanizimi, i cili erdhi si pasojë e urbanizimit të paplanifikuar krijoi përshtypjen e rrejshme, se ata që zotërojnë Shkupin, zotërojnë krejt Maqedoninë. Por, në fakt në Shkup u krijua vetëm një oligarki ekonomiko-politike, kurse pjesa tjetër u proletarizua deri në palcë. Proletarët e tillë sot i shohim tek protestojnë para ndërtesës së qeverisë, tek kërkojnë t’u shpërblehet statusi i të falimentuarve. Kjo sepse në Maqedoni me vite kishte falimentuar ideja e zhvillimit proporcional të rajoneve.

Shteti kishte investuar disa projekte kapitale ekonomike e industriale në Maqedoninë Lindore, ndërkohë që rrugët, kanalizimet, shkollat në fshatrat e Maqedonisë Perëndimore ua kishte lënë në duar private shqiptarëve. Konkurrimi i investimit shtetëror dhe ai privat një kohë ishte shumë disproporcional, sepse në njërën anë shteti hapte fabrika dhe vende pune për mijëra punëtorë maqedonas, kurse në anën tjetër, shqiptarët me paratë e kurbetit asfaltonin rrugë, hapnin kanalizime dhe ndriçonin sheshet e fshatrave të tyre. Tani shteti nuk po hap fabrika, por shqiptarët janë ata që po e mbushin arkën e shtetit. Potenca fiskale e shqiptarëve, asnjëherë nuk është kalkuluar politikisht dhe pikërisht këtu kanë dështuar partitë politike shqiptare. Në fakt, shqiptarët në Maqedoni paraqiten investitorë të dyfishtë: në njërën anë duke investuar në ekonomitë e tyre private dhe në anën tjetër duke shtuar potencën fiskale të shtetit, përmes qarkullimeve pagesore në sektorin e gastronomisë, telefonisë mobile, auto-salloneve, derivateve të naftës, duhanit, materialeve ndërtimore etj.

Nëse një shtet si Maqedonia ka zhvillim joproporcional dhe nëse në atë shtet një pjesë e popullsisë jeton nga të ardhurat që i siguron vetë, atëherë medoemos duhet hartuar një politikë tjetër makroekonomike. Në kushte të tilla shteti duhet t’i orientojë investimet andej edhe nga vijnë harxhuesit dhe paratë. Në rrethanat e këtushme do të ishte absurde të mos investohet në pjesët e banuara me shqiptarë dhe është e padrejtë që shqiptarët të trajtohen vetëm si kontingjente të freskëta fiskale dhe asgjë më tepër. Në të kundërtën, ka të ngjarë që parazitët e deridjeshëm pa asnjëfarëlloj mundi të vazhdojnë të sillen si “padronë” me paratë e shqiptarëve.

Grabitet njëra popullatë për të pasuruar popullatën tjetër

UBT

Komisioni Europian për ekonominë në Ballkanin Perëndimor e ka radhitur Maqedoninë pas Kosovës e Shqipërisë, sa i përket rritjes ekonomike të BPV-së. Optimizmi mediatik i qeverisë aktuale për një rritje ekonomike u tregua joreal pas vlerësimit të fundit të Komisionit Europian. Sikundër po shihet, Maqedonia nuk po ngec vetëm në planin e reformave institucionale, gjyqësore e administrative, por edhe në ekonomi. Shumë të proklamuarit e çështjeve ekonomike, Gruevski e Stavrevski, dolën se janë emra që mund të zbukurojnë vetëm ndonjë faqe broshure elektorale të partisë në pushtet, por jo edhe më shumë sesa që pretendonin ata.

Maqedonia është në fundin e rritjes ekonomike prej 0.7 %, dhe është në kreun e shteteve me numrin më të madh të papunësisë. Inflacioni në Maqedoni vitin e kaluar ka qenë afro 2 për qind, por këtë vit pas rritjes së çmimeve të naftës inflacioni mund të ketë trende të pazvogëluara.
Zvogëlimi i rritjes ekonomike, shtimi i papunësisë, rritja e inflacionit, janë tri hallkat e një zinxhiri që po mbërthejnë qafën e hollë të politikës ekonomike të Maqedonisë. Keqmenaxhimi i parave publike, të orientuara kryesisht në projekte monoetnike e monofetare dhe lënia pasdore e zonave të banuara me shqiptarë, zbulojnë një tendencë tepër të rrezikshme të grabitjes së një popullate në favor të popullatës tjetër. Duhej të mos financohet as edhe një denarë në vendbanimet shqiptare për t’u sjellë në Shkup luajt e luaneshat e bronzit, teleferiku i kryqit të Vodnos dhe përmendoret gjigante të figurave historike maqedonase. Me fjalë të tjera, kësaj i bie që varfërimi i një pjese të Maqedonisë sjell mirëqenie për pjesën tjetër. Ose, duhej të ndodhte varfërimi i shqiptarëve për t’u glorifikuar në trajtë përmendoresh historia maqedonase.

Ky trend negativ i zhvillimit ekonomik e social i Maqedonisë po ndodh në kohën kur anketat dhe hulumtimet e opinionit publik e nxjerrin partinë maqedonase në pushtet me kuota të larta të besueshmërisë në popull. Mirëpo Gruevskit po i besojnë vetëm maqedonasit dhe kjo mund të jetë lajthitja më e madhe e atyre që mendojnë se ardhmëria e Maqedonisë është në duar të sigurta. Këtu fillon edhe keqkuptimi dhe keqinterpretimi i analizave që bëhen pas publikimit të anketave të ndryshme. Një politikë që udhëheq shtetin nuk duhet shikuar parcialisht dhe më së paku në një këndvështrim të ngushtë etnik.

Maqedonia me rënie të theksuar ekonomike e sociale ndoshta mund të jetë interes i qarqeve të caktuar që duan ta varfërojnë edhe më shumë atë për t’u paraqitur pastaj si shpëtimtarët të saj pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve kur në familje të varfra do të shpërndahen qindra pako me ushqim e veshmbathje. Mirëpo Maqedonia asnjëherë nuk mund të jetë një shtet i barabartë për të gjithë nëse drejtuesit e shtetit me politikat e tyre zhvillimore zbatojnë standarde të dyfishta, duke sforcuar historicizmin me projekte të financuar nga fondet publike, në njërën anë, dhe duke lënë në harresë nevojat vitale të njerëzve, sidomos në zonat shqiptare, në anën tjetër.

Ky zhvillim joproporcional ekonomik, kulturor, social, urbanistik nxjerr në sipërfaqe një model gogol me përmasa të përbindëshit asimetrik. Nëse vazhdohet me ritme të tilla të zhvillimit joproporcional dhe nëse faktori aktual politik shqiptar vazhdon të tregojë mungesë sensi për të reaguar kundër kësaj praktike diskriminuese, atëherë me siguri në skenë do të dalin forca të reja politike që do të imponojnë një filozofi dhe një logjike tjetër të ridefinimit të raporteve në mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Dhe sigurisht, në emër të kohezionit ndëretnik dhe ardhmërisë më të mirë të të gjithëve, por mbi baza të barabarësisë shtetformuese.

Se sa do të ketë hapësirë që në këto zgjedhje të parakohshme (prill) të ridefinohen forcat politike në favor të një zhvillimi gjithpërshirës, mbetet të shihet, ndonëse përvoja ka dëshmuar se zgjedhjet nuk mbahen për të avancuar çështjet problemore, por për të legjitimuar jetëgjatësinë e përgjumjes politike të një kaste pa përgjegjësi morale e institucionale.

(Autori është publicist nga Shkupi. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)