ARKATANA

Mantelin, si qefin

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Milaim Shefkiu – Mjekësia, prej që është krijuar kjo dynja, është konsideruar dhe vazhdon të konsiderohet si shkencë fisnike dhe humane, që shpëton jeta njerëzish dhe që ua përmirëson kualitetin e jetës atyre që kanë sëmundje të pashërueshme. Pra, në shumicën e vendeve të botës kështu shihet dhe konsiderohet mjekësia dhe mjekët, të cilët në fund të studimeve betohen mbi Ligjin e Hipokratit, për humanizëm, objektivitet dhe për shërbime njerëzore.

Mirëpo, duke i parë dhe analizuar disa SMS që u shpërfaqen në opinion, nga disa mjekë kardiologë, që tashmë gjendjen brenda grilave, mund të konkludosh pa gabuar hiç, se mantelet e bardhë që i kanë veshur mbi kostumet e zeza, kanë qenë si qefin, për t’i mbuluar viktimat e atyre që i kanë trajtuar. Pra, betimi i Hipokratit ka qenë i rremë (Hipokrit), sidomos në Kosovë, në livadhin pa zot, ku shumëkush livadhis sipas qejfit.

Paramendoni se deri ku shkon marrëzia e njeriut me “mantel të bardhë”. Pacientit i thotë m…, skizofren… e çon në t’samës (PS), që në stilistikën linguistike këto fjalë i takojnë dialogut të shkujdesur që përdoret kryesisht nga rrugaçët që kanë trashëguar primitivizmat (të sharat dhe të palarat).

SMS-të që u publikuan në të gjitha mediet kosovare e vërtetuan dyshimin e qytetarëve, se allishverishet në emër të humanitetit tejkalojnë edhe matrapazët ordinerë të mishit të bardhë dhe të drogës. Në komunikimin ndërmjet doktorëve të zemrës shihet se si bëhen pazare me pacientë, “ti mu -unë ty”, “E kryen punën, 500 euro janë tuat”.

Këtu shihet se si pacienti, i cili në një shtet normal duhet të konsiderohet i shenjtë, në botën e mjekësisë kosovare trajtohet si mall për pazar.

Në këtë “mishmash” të kardiologëve, që tashmë gjendjen në “hotel Sefa” (burg) janë përzier mjekët shqiptarë, turq e maqedonas, duke i bashkërenduar veprimet në krim si dikur në bashkimvëllazërimin e komunizmit. Të gjithë këta e kanë pasur në qendër pacientin, por po them sërish, jo si trajtim human, por si objekt material “merrja
m…paret edhe ne RrS”.

Gjatë dy dekadave të fundit, në popull u krijua një përshtypje se sektori më i korruptuar në Kosovë janë gjyqtarët dhe mjekët. Madje, këta të fundit, tejkalojnë çdo parametër, edhe për faktin se nuk ka mjek që nuk ka veturë luksoze ose xhip, banesa e shtëpi, lokale etj.

Uji Dea

Më SMS-të e fundit u zbulua “sekreti” si ai i ajsbergut, të cilit i shihet vetëm një e shtata e madhësisë së trupit. Pra, populli ka pasur dyshime për korrupsion në spitale, ndërsa arrestimet e fundit dhe komunikimi ndërmjet mjekëve dhe zyrtarëve qeveritarë, tregoi se deri ku shkon niveli i korrupsionit në këtë sektor.

Por, a janë të gjithë mjekët të tillë?

-Natyrisht se nuk janë.

Populli thotë se “një qime floku e hidhëton një kovë mjaltë”.

Edhe në Kosovë ka mjekë të jashtëzakonshëm që nuk kursejnë asgjë për pacientin dhe për popullin. Madje, ka pasur doktorë të QKUK-së që kanë dhënë jetën në shërbim të qytetarëve, për të cilët duhet të thurën përditë, oda e himne.

Prandaj, arrestimet e fundit dhe “qumështi mbi përshesh që u doli shumë doktorëve” e bën të domosdoshme, që sektorit shëndetësor kosovar t’i bëhet një autobilogji, nga A deri në ZH.

Mjekëve specialistë t’u rritet paga dyfish, në mënyrë që ata të mos ndjehen inferiorë karshi punëtorëve të Administratës apo Qeverisë, që sorollaten poshtë e përpjetë e s’bëjnë asgjë. E nëse ata sërish korruptohen, t’iu merret e drejta e punës dhe në vend të mantelit të bardhë, t’u vishet ai i portokallti dhe të gjykohen për hipokrizi.