Manovra e re e opozitës, goditje e rëndë për regjimin
Demaskimi i aferave korruptive të pushtetarëve. Analistët mirëpresin veprimet e partive opozitare
Zgjerimi i temave të opozitës përtej dy marrëveshjeve të dëmshme antikushtetuese, duke u marrë kështu me krimin e organizuar dhe korrupsionin, konsiderohet lëvizje që mund ta shtojë simpatinë e qytetarëve për opozitën
Zgjerimi i strategjisë vepruese të opozitës së bashkuar në kundërshtimin e qeverisë aktuale, duke denoncuar në masë të dukshme edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisjes së vendit, përveç denoncimit dhe kundërshtimit të deritanishëm ekskluziv të marrëveshjeve politike të 25 gushtit të vit të kaluar, nga analistët politikë po shihet si një strategji e qëlluar, mbase edhe mjaft e vonuar, nëpërmes së cilës blloku i treshes opozitare po u kthehet së afërmi problemeve elementare të qytetarit dhe mund ta fitojë edhe përkrahjen maksimale të shtresave të rrezikuara nga qeverisja e deritanishme kriminale.
Deputeti Haxhi Shala, nga subjekti opozitar Nisma për Kosovën, tha se pavarë- sisht që fokusi i opozitës së bashkuar ka qenë dhe mbetet në marrëveshjet e dëmshme për integritetin dhe sovranitetin e vendit, denoncimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit si fenomen nuk ka reshtur asnjëherë deri më tani. “Qytetarët janë lodhur me këtë lloj qeverisje dhe pa marrë parasysh kush do ta drejtojë qeverinë e ardhshme, nëse do të vazhdojë të qeverisë në frymën e qeverisë aktuale, ajo do të jetë qeveri jetëshkurtër, sepse qytetarët janë lodhur nga qeverisja e korruptuar dhe e kriminalizuar ‘Mustafa-Thaçi'”, u shpreh ai. Këtë e pohon edhe Ismail Kurteshi nga Lëvizja ‘Vetëvendosje’./kosova sot/


