Manipulimi me këshilltarët shqiptarë

Bujanoc – Partia Demokratike Kombëtare, seancën e jashtëzakonshme të këshilltarëve shqiptarë të tre kuvendeve komunale: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë e konsideron të tepërt, të pamatur politikisht dhe të pakuptimtë ideologjikisht.
Ideja për të formuar një kryesi të të ashtuquajtur të këshilltarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, daton shumë më herët, kur ishte në kulm krijimi i Këshillit Nacional, të cilin shumica e partive politike e dëshironin jo siç është, ai, aktual, i përbërë vetëm nga dy parti.
Partia për Veprim Demokratik e Riza Halimit e mbetur në opozitë në komunat kryesore shqiptare në Preshevë dhe Bujanoc, provon sërish ta aktualizoj formimin e një kryesie të këshilltarëve shqiptarë për t’i dhënë kinse “formë juridike” për dy arsye, e para përzierja në punët e pushteteve lokale ku ajo nuk ka qasje administrative dhe e dyta për ta lënë në “të terur”, Këshillin “Nacional”, i cili me veprimet e tij e ka dëshmuar vetën për antikulturalizëm dhe antikombëtarizëm.
Lugina e Preshevës, nuk ka nevojë për formimin të kryesive të reja qoftë edhe të këshilltarëve komunalë, apo asociacion komunash si të llojit të serbëve të veriut të Kosovës. Shqiptarët e Luginës së Preshevës edhe ashtu janë të përçarë dhe të ndarë në shumë “principata” e “nahi”, atyre u nevojitet një strumbullar nga i cili do të silleshin të gjithë partitë politike dhe sektori joqeveritar.
Asociacionin e komunave, shqiptarët e Luginës e kanë që nga Referendumi i 1 dhe 2 marsit 1992, me deklarimin e tyre politik se dëshirojnë të bashkohen me Kosovën e drejtë kjo politike dhe historike. Pse tash kërkohet diçka e cila ekziston prej vitesh?!
Pse partitë opozitare nuk kërkojnë jetësimin e Kuvendit të Autonomisë të para 21 vjetësh, nga i cili Kuvend nuk do të kërkohej “Masa urgjente për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës” edhe atë në: Integrimin e plotë të shqiptarëve; Revitalizimin ekonomik; Realizimin e të drejtave në përdorimin zyrtar të gjuhës dhe shkrimit si dhe simboleve nacionale; Decentralizimin në gjuhësi; Arritjen e sigurisë së plotë në rajon; Arsim, kulturë dhe informim; Masat në shëndetësi dhe sigurim social, por do të kërkohej vetëvendosje, konform vullnetit të popullit të shprehur me Referendum.
Të drejtat e shqiptarëve në këto fusha i ka edhe i ashtuquajturi Këshill “Nacional”, nga i cili ka dalë një Abetare pa identitet dhe një gazetë pa autoritet.
Partia Demokratike Kombëtare, kërkon nga spektri politik i Luginës së Preshevës, të jetë më serioz në qasjen ndaj ngërçit të krijuar politik në vend dhe kërkon që, ai, të heq dorë nga manovrat e panevojshme politike, të cilët më shumë i sjellin dëm popullatës shqiptare se sa avancim të statusit të tyre politik.
Më lehtë do ta kishin PVD e UDSH, të kërkojnë ngrirjen e mandatit të deputetit në Parlamentin e Serbisë dhe pezullimin e aktivitetit jokonstruktiv të të ashtuquajturit Këshill “Nacional”, për ta formuar një Mekanizëm të mirëfilltë shqiptar se sa të merren me poena të lirë politik.
Gjithashtu, PDK, ua zë për të madhe disa partive politike, të cilat e kanë dëshmuar veten për forcën politike që kanë në pushtet lokale dhe organizimin e jetës politike në vend, të cilat i bashkëngjiten iniciativave të tilla, për t’i ngatërruar këmbët e veta në rrugëtimin drejt zgjidhjes së drejtë dhe të qëndrueshme të çështjes shqiptare në rajonin e Luginës së Preshevës, thuhet mes tjerash në kumtesën e nënshkruar nga lideri i saj Nexhmedin Saqipi./rajonipress/