Manifestim që integron përmes artit
Gjilan – Për të tretën herë me radhë, me 8 Qershor 2013, poetë të shumtë nga kjo pesë e Ballkanit Juglindor, ( Kosovë, Kosovë Lindore – Serbi, Maqedoni dhe Shqipëri) do mblidhen në një manifestim poetik në Grykën e Karadakut.
I emërtuar tashmë si “Trekëndëshi poetik i paqes”, meqë zhvillohet pikërisht në një trekëndësh kufitar, ky manifestim që po bën dhe emër , madje dhe si ngjarje e tillë e vetme kulturore në këtë rajon, shënon 12 Qershorin – Ditën e Lirisë për Kosovën si dhe çlirimin e Gjilanit përmes poezisë, duke afruar poetë, qytete po edhe shtete nga një zonë që deri dje, ishte ndër zonat më militare për gati dhjetë vite ( 1990 – 1999).
Sabit Rrustemi nga Ars Club “Beqir Musliu” thotë se tash, me lirinë dhe paqen e vendosur në Kosovë, kjo zonë po ju kthehet njerëzve, përmes bukurive natyrore, po, edhe kulturore e artistike, duke mëtuar që gradualisht të shndërrohet dhe në një zonë tërheqësi turistike si dhe të trashëgimisë kulturo – historike.
Ars Clubi “Beqir Musliu”, si ideator dhe organizator i këtij Manifestimi ( i filluar nga viti 2010 ), po mëton dhe atë, me sukses, që t’ i afrojë këto pjesë të një trungu, edhe përmes artit letrar.”Trekëndëshi poetik i paqes”, ndryshe nga Manifestimet dhe veprimtaritë letrare në Kosovë, vazhdon të organizohet dhe mbahet në ambient të hapur, midis malesh, atje ku dikur buçisnin pushkët dhe kushtrimet e lirisë, duke i zëvendësuar me buçimat e vargjeve dhe figurave artistike. Pika kufitare në Stanqiç dhe Kisha e Shën Anës në Dunav, kanë qenë dhe ende mbesin pikënisja e këtij Manifestimi. Si një lloj presioni artistik përmes motos “Vargjet kalojnë”, poetë të mbledhur nga këto tri shtete të rajonit, kanë kërkuar dhe apeluar hapjen e një vendkalimi kufitar aty ku nuk kishte kurrë kufi, në Stanqiç, mes Kosovës dhe Maqedonisë, dy vjet radhazi” tha Rrustemi.
Duket se shenjat flasin që ky vendkalim do zyrtarizohet së shpejti dhe, organizatori i këtyre takimeve ndjehet mirë dhe përshëndet gatishmërinë e dy shteteve. “Pikërisht për këtë, kësaj here, hapja zyrtare e Manifestimit do bëhet pak më në brendi të kësaj pike kufitare, në ambientet e hapura të restaurant “Dunavit”, për të vazhduar më pas me “Kohën e Poezisë”, në Kishën e Shën Anës, në Dunav, si objekti më i afërt publik me trekëndëshin kufitar” sqaron Rrustemi.
Po, s’ është vetëm kjo arsyeja pse poetët marrin mundin që në këmbë, të djersiten kodrave përpjetë apo edhe me ndonjë xhip a kombi.?
Ky objekt i besimit fetar, ma shumë se 30 vite, ka shërbyer edhe si qendër shëndetësore e humanitare për popullatën e Grykës së Karadakut e më gjerë.
Motrat e nderit, që kanë shërbyer në këtë Kishë, tashmë të boshatisur dhe, mbetur në mëshirën e kohës dhe të vullnetit të mirë njerëzor, kanë mbledhur ndihma nëpër vende të ndryshme të Perëndimit ( Francë, Belgjikë, Holandë, Luksemburg, e sidomos Gjermani dhe, ua kanë shpërndarë popullatës në nevojë, duke organizuar edhe përkujdesën e përgjithshëm mjekësor po, edhe furnizimin me barna dhe gjëra ushqimore e, edhe veshmbathje. Madje, kanë hapur dhe rrugë përmes organizimit të aksioneve me vullnetarë nga shtetet e përmendura.
Dhe tash, kur popullata është zhvendosur nga kjo pjesë e Karadakut ( të Gjilanit), kur besimtarët vetëm një herë në vit, dalin për vizitë këtij objekti, është shfaqur Ars Clubi “Beqir Musliu” që, gjithë këtë veprimtari humane në të kaluarën e afërt, ta shpërblejë përmes poezisë dhe pelegrinazhit artistik, njëherë në vit, edhe si shenjë falënderimi, po, edhe si shenjë përkujdesi e mos harrese, duke insistuar që ky objekt, me mirëkuptimin e Ipeshkvisë Katolike të Kosovës si dhe institucioneve të saja qendrore e lokale, ta rilindin dhe ta kthejnë në qendër të trashëgimisë kulturore, historike dhe, artistike duke e ruajtur dhe funksionin e saj bazë, besimin.
Deri tash, ma shumë ka premtime e, më pak investime. Ky Manifestim ka edhe qëllimin e të cilin nuk e fshehim aspak që, të kujdestarojmë rregullisht derisa kjo të arrihet dhe, pastaj të bëhet dhe pjesë e funksionalizimit për veprimtarinë e saj.
Rrustemi tha se manifestimin e sivjem e kanë mbështetur në një masë, Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport , përmes Departamentit të Kulturës, po edhe Komuna e Gjilanit përmes Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport. Natyrisht, pjesë e ndihmesës në organizim janë prej fillimit, edhe Famullia e Stubllës, restaurant Dunavi si dhe, sivjet, restaurant “Mbreti” (Lladovë).
Këtë vit, në kuadër të Manifestimit, prezantohet dhe Libri i Përbashkët që ka dhe emrin e Manifestimit, edicioni i dytë i saj, i ndihmuar financiarisht nga MKRS-ja. Po, do begatohet edhe me një mini – ekspozitë të piktorit të mirënjohur kosovar, Jetullah Halitit – Etit, i cili vjen me cikin e tij “Pëllumbat e paqes” që i shkon për shtati shumë mesazhit të vetë Manifestimit tha Rrustemi./rajonipress/


