RCCOLA

Manifesti Politik i Qamil Balës drejtuar Lidhjes së Kombeve në Gjenevë

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Nga Mr. Aliriza Selmani – Në përkujtim të patriotit dhe intelektualit të shquar shqiptarë Qamil Bala i lindur në Gjilan më 1878 dhe i varrosur në Tiranë më 1933, me këtë rast zgjodhëm për ribotim Manifestin e tij Politik, drejtuar Lidhjes së Kombeve në Gjenevë. Siç dihet, për shkak të pjesëmarrjes dhe dështimit të Revolucionin Demokratik (1924), Qamil Bala së bashku me shumë patriot të tjerë mërgoi në perëndim, ku së bashku me Hasan Prishtinën, Fan Nolin, Bedri Pejanin e të tjerë, do të veprojë në udhëheqje të ngushtë të Komitetit të Kosovës, Komitet i cili nga viti 1927, ndërroi emrin në Komiteti për Çlirimin e Kosovës dhe Deklaratën drejtuar Lidhjes së Kombeve me seli në Gjenevë, më 24 prill 1927, e kanë nënshkruar Bedri Pejani, Qamil Bala dhe Ibrahim Jakova.

Si diplomat dhe njohës i mirë i situatës ndërkombëtare Qamil Bala shumë herë dhe në forma të ndryshme ngriti zërin pranë Lidhjes së Kombeve në Gjeneve për gjendjen në Kosovë dhe sulmoi politikën gjenocidale serbe ndaj shqiptarëve ne Jugosllavi. Për këtë qëllim pati shumë takime dhe në artikujt e shumtë që botoi në gazetat dhe revistat e ndryshme të kohës, ku krye tema e luftës politike të Qamil Bala, do të jetë çlirimi i Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi. Prandaj kudo që u ndodh, foli shkroi dhe protestoi kundër shtypjes që i bëhej shqiptarëve në Jugosllavi nga shovinistët serbo-malazez.

Për këtë çështje ai do të ngritë zërin, deri në organizmat politike e shoqërore ndërkombëtare. Nga të cilat më i fuqishëm është Manifesti i tij Politik drejtuar sekretarit të përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, të cilin po e japim në tërësi:
“Shkëlqesisë së tij,
Zotit Erik Drymond
Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së kombeve
Gjenevë
Shkëlqesi,
Gjendja e pashpresë e shqiptarëve që rrojnë në Jugosllavi, më detyron përsëri t’i drejtoj Lidhjes së kombeve lutjen për të ndihmuar një popull të shtypur dhe të torturuar jashtë masës.
Faktet mbi të cilat është bazuar thirrja ime i janë komunikuar shpesh në detaje Lidhje së Kombeve. Kryesoret janë këto:
1. Rreth një milion shqiptarë që banojnë në Kosovë dhe në Maqedoni, nuk kanë asnjë shkollë në gjuhën e tyre amtare. Atyre u është ndaluar që të hapin shkolla dhe me mjetet e tyre private.
2. Qeveria e Mbretërisë së Jugosllavisë përdor të gjitha masat e mundshme për shfarosjen e shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë. Është fakt i njohur dhe evident se masakrat, shkatërrimi i fshatrave të tëra, viktimat në radhët e
shqiptarëve, plaçkitja e shtëpive të tyre janë bërë me urdhër të agjentëve të autoriteteve të larta.
3. Me konfiskimin pa shpërblim të pronave të bujqve shqiptarë, të cilat iu ndanë serbëve dhe malazezëve, shqiptarët u detyruan të braktisin në masë vendin e tyre, tokën e baballarëve të tyre. Shqiptarët muhamedanë dhe katolikë paguajnë taksa 60 për qind më të larta, masa këto që përdorin për t’i shkatërruar ekonomikisht dhe me këtë mënyrë t’i detyrojnë ata që të emigrojnë.
Një rezultat i kësaj mënyre të trajtimit të shqiptarëve, është fakti që popullsia serbe e rrethit të Gjakovës, e cila që prej dhjetë vjetësh nuk formon veçse 1% të popullsisë, trajtohet sikur paraqet 20% të popullsisë autoktone shqiptare detyrohet të braktisë tokën e saj.
4. Qeveria e sipërpërmendur persekuton shqiptarët katolikë për fenë e tyre. Ajo i detyron këta shqiptarë, të mohojnë vatrën dhe kombësinë e tyre. Në rast se refuzojnë ata kërcënohen me persekutime e vrasje. Priftërinjtë janë vrarë gjithashtu për këtë arsye. Qeveria konfiskon vlerat e komuniteteve fetare.

Këto janë disa nga aktet e Mbretërisë së Jugosllavisë, akte kundër të drejtën e njeriut.
Neni 2 i traktatit për minoritetet në kuadër të shtetit SKS thotë : “Shteti SKS është i detyruar që ti njohë të gjitha të drejtat për të gjithë banorët e tij, t’u sigurojë mbrojtje të plotë e të gjithanshme për jetën dhe liritë e tyre, pa dallim kombi race e feje.

Uji Dea

Mënyra që janë trajtuar shqiptarët që jetojnë në kuadër të Mbretërisë Jugosllave, është në kontradiktë jo vetëm me fjalët e këtij traktati, por ajo të përkujton mënyrën që janë trajtuar robërit në kohën e mesjetës. Për këtë arsye, në emër të bashkëpatriotëve të mi, shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë, unë i lutem Lidhjes së Lartë të Kombeve që ta vejnë në mbrojtje një popull të torturuar padrejtësisht.

Qeveria Jugosllave ka zgjedhur metodën e mohimit absolut të gjitha ankesave të formuluara kundër saj. E njëjta qeveri mohon akoma faktin e njohur që një milion shqiptarë në Jugosllavi, nuk kanë një shkollë të vetme shqipe.

Duke paraqitur këtë taktikë, unë përsëris lutjen e bërë më sipër: që Lidhja e Kombeve të formojë një Komision të paanshëm që të ketë për detyrë të shkojë në Jugosllavi dhe t’i bëjë një raport Lidhjes së kombeve.

I lutem shkëlqesisë suaj të pranojë shprehjen e konsideratës time më të lartë.”/rajonipress/