UBT

Maloku paralajmëron masa të rrepta ndaj keqpërdoruesve të votës

/ 6 minuta lexim

Gjilan – Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku paralajmëron masa të ashpra ndaj manipuluesve të votës dhe të procesit zgjedhor. Çdo qytetar me të drejtë vote, ka të drejtën e pacenueshme të shpreh vullnetin dhe dëshirën e tij lirisht dhe larg çdo presioni, kërcënimi, dhunimi a shantazhimi, larg çdo tendence që cenon të drejtën për votë të lirë, të garantuar me ligj e Kushtetutë, ka thënë ai.

Jetish Maloku thotë për rajonipress se edhe Kodi i ri Penal e rregullon të drejtën e votimit në kapitullin 18, ku janë paraparë dhjetë forma të veprave penale, gjë që paraqet bazën kryesore të legjislacionit penal për sanksionimin e veprimeve jashtëligjore të të gjithë atyre që prekin votën e lirë të qytetarëve.

“Ligji godet të gjithë kryesit e veprave penale që cenojnë lirinë e votimit, para, gjatë dhe pas votimit, të gjithë ata që përdorin dhunë, kërcënojnë, votojnë disa herë për vete dhe të tjerët, që mashtrojnë, premtojnë, ndërmjetësojnë, zbulojnë fshehtësinë e votimit, asgjësojnë apo falsifikojnë dokumentet e votimit dhe të tjera, pa marrë parasysh nëse është person fizik, apo person zyrtar, të cilit i është besuar detyra gjatë zgjedhjeve” thotë ai.

Prokuroria, bashkë me institucionet tjera të drejtësisë dhe rendit, do bëjnë të pamundshme si asnjëherë më parë që këto zgjedhje të jenë të lira, larg çdo manipulimi, vjedhje apo cenimi të lirisë së votimit, thotë Maloku.

Për dallim prej zgjedhjeve të mëparshme, kësaj here roli i Prokurorisë do të jetë vendimtar, detyra këto që dalin edhe nga procedurat standarde të veprimit (PSV), sipas të cilave, nuk do të ketë pardon për asnjë kryes të këtyre veprave penale, pavarësisht çfarë ngjyre politike ka ai.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, bazuar në këtë plan, ka marr obligime dhe ka caktuar prokurorë kujdestar në të gjitha komunat e regjionit, të cilët do të përcjellin gjithë procesin zgjedhor dhe mbarëvajtjen e tij, nën koordinimin e kryeprokurorit të kësaj Prokurorie, bashkë me institucionet tjera relevante” tha ai.

Maloku thotë se në krahasim me të kaluarën, kësaj here Prokuroria është shumë më e vendosur dhe e përkushtuar që cenuesit e votës së lirë, të ballafaqohen me forcën e ligjit dhe shtetit. Ai kërkon nga të gjitha partitë politike dhe pjesëmarrësit tjerë në proces, që të krijojnë ambient të qetë, jashtë çdo mundësie manipulimi të këtyre votimeve.

Përndryshe, Maloku rikujton se veprim inkriminues konsiderohet edhe cenimi i të drejtës për t`u kandiduar në zgjedhje lokale. “Forma të rënda të kësaj vepre penale janë përdorimi i forcës apo kanosjes serioze kundër një kandidati për zgjedhje. Kjo është e dënueshme deri në 3 vjet burg. Edhe më rëndë dhe me pasoja do ishte veprimi që e bën një kandidat ta tërheq kandidaturën, ose pengohet në ushtrimin e aktiviteteve gjatë fushatës zgjedhore, nën kërcënim se do t`i shkaktohet një e keqe, duke e kanosur seriozisht personin me qëllim frikësimi, shqetësimi apo krijimi të ndjenjës së pasigurisë” ka sqaruar Maloku.

Fundamenti

Sipas tij formë e kualifikuar e veprës penale është paraparë edhe me rastin e parandalimit apo pengimit të ushtrimit të së drejtës së votimit, sidomos formë e rëndë e saj është kur kryhet nga një person të cilit i është besuar ushtrimi i detyrave gjatë zgjedhjeve dhe ai pengon personin për të votuar, nuk e regjistron personin në listën e votuesve ose e heq atë nga lista e votuesve, kërkon apo ndikon në përcaktimin e lirë të votuesit për kandidatin ose subjektin e caktuar politik. Formë e rëndë është përdorimi i dhunës dhe kanosjes serioze ndaj votuesit, detyrimi i një personi që të votojë në mënyrë të caktuar ose të mos votoj fare.

Shumë e rëndë dhe me pasoja të theksuara është kur kryesi i këtyre vepre penale jep apo merr ryshfet, gjatë zgjedhjeve, premton edhe ndonjë përfitim, dhuratë të pamerituar, për veti apo për tjetrin, pranon oferta nga një person me të drejtë vote, me qëllim që të ndikoj për të votuar apo për të mos votuar kandidatin e caktuar. Ligjdhënësi ka paraparë dënime edhe për çdo person që shërben si ndërmjetësues.

Ky kapitull i këtyre veprave penale bënë përgjegjës edhe kryes të veprave penale në rast se voton në vend të personit tjetër, nëse voton më tepër se një herë ose nëse voton apo shfrytëzon më shumë se një listë votimi. Aq më rëndë është kur kryesi është anëtar i Komisionit Zgjedhor që mundëson kryesin të kryej këto veprime inkriminuese.

Gjithashtu formë e rëndë e këtyre veprave penale është edhe nëse ndokush ndërpret apo ndërhyn, pengon procesin normal zgjedhor gjatë votimit, përdor dhunë, kanosje, prish rendin dhe qetësinë publike në qendrën e votimit, duke pamundësuar votimin e lirë.

Formë e rëndë është edhe cenimi i fshehtësisë së votimit, kur me dhunë ose kanosje serioze, kërkon nga një votues që të tregoj si ka votuar, e edhe më rëndë paraqet kur kryes i KKZ, apo kush shton, rrit numrin e votave, kush heq ose fshinë votat, ve nënshkrimin në vend të votuesit, regjistron pasaktë votat apo rezultatin e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore, publikon votën, ndryshon rezultatin e zgjedhjeve (votimit) që nuk i përgjigjet votimit të vërtetë ose falsifikon votën dhe rezultatin e zgjedhjeve.

Në rastet kur të gjitha këto veprime i kryen anëtari KKZ-së si person zyrtar në detyra të besuara gjatë zgjedhjeve, paraqet formën më të rëndë të deformimit të votimit ose kur asgjëson, fsheh, dëmton nxjerr fletëvotimet nga kutitë e votimit, veprime këto inkriminuese të sanksionuara me kapitullin 18 të Kodit të Ri Penal.

“Prokuroria, bashkë me institucionet tjera të rendit, do të godas pa hezitim manipuluesit e të gjitha këtyre veprimeve inkriminuese që cenojnë të drejtën e lirë të qytetarit për votim, duke i bërë përgjegjës para organeve të drejtësisë të gjithë ata që manipulojnë zgjedhjet e lira dhe demokratike”, thotë Maloku./rajonipress/