Maloku: Nëse Specialja nuk merret me rastin e babait, do t’i publikojmë emrat e dëshmitarëve

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doruntinë Maloku në një intervistë ka theksuar se pret që Gjykata Speciale të merret edhe me rastin e vrasjes së babit të saj, Enverit.Sipas saj, nëse këtë nuk do ta bëjë Gjykata Speciale, atëherë ajo ka thënë se do t’i bëjë publik emrat e dëshmitarëve të vrasjes dhe siç ka thënë ajo informacionet e tjera që kanë të bëjnë në lidhje me rastin.
Në 17 vjetorin e vrasjes së Enver Malokut, e bija e tij, Doruntina ka theksuar për Gazetën Blic se dikujt po i konvenon mos zbulimi i vrasjes së babit të saj dhe vrasjeve të tjera politike.
Sot, në 17 vjetorin e vrasjes së babait Tuaj, keni deklaruar se nëse Gjykata Speciale nuk do të merret me vrasjet politike, nuk do të lëni gurë pa lëvizur për t’i zbardhur këto krime. A mund të na tregoni se çka saktësisht do të bëni në këtë drejtim?
Maloku: Së pari, do të presim se cilat raste do t’i trajtojë Gjykata Speciale. Siç e dini, juridiksioni kohor i Gjykatës e përfshin periudhën kur është vrarë Babi im, Enver Maloku. Meqë sistemet e instaluara të drejtësisë në Kosovë, dështuan ta zbulojnë të vërtetën, shpeshherë edhe duke i neglizhuar këto krime, ne kemi shpresë se këtë gjë do ta bëjë Gjykata Speciale, marrë parasysh faktin se dëshmitarët mund të ndjehen më të sigurt jashtë territorit tonë. Por, po që se kjo nuk ndodhë, atëherë ne do të fillojmë t’i bëjmë publikë emrat e dëshmitarëve të vrasjes dhe informacione të tjera që kanë lidhje me rastin. Babi im ka vdekur për një shtet të së drejtës dhe ne, në asnjë mënyrë, nuk mëtojmë ta marrim drejtësinë në duart tona. Ne do ta ndihmojmë atë për gjetjen e së vërtetës dhe dënimin e atyre që e orkestruan dhe e vranë Enver Malokun. Ne s’kemi bërë publike asgjë për të ruajtur kredibilitetin e dëshmitarëve.
Keni mallkuar ata që vranë dhe që po mbajnë fshehur vrasësit e babait Tuaj. Kush po i mbron ata, ndonjë grupim politik apo…?
Maloku: Nuk e di. E vërteta është se dikujt nuk po i konvenon zbulimi i vrasjeve politike. Kjo është e qartë si loti. Po të ishte ndryshe, edhe rezultati do të ishte i tillë. Nuk kam shpjegim tjetër, pse po vonohet kaq shumë drejtësia.
Pse po dështon tash e 17 vjet drejtësia në rastin e Enver Malokut?
Maloku: E thashë edhe më lart. Dikujt nuk po i konvenon e vërteta. Besoj se shpejt do ta zbulojmë këtë mister.
Gjatë kohës sa LDK ishte në opozitë, udhëheqësit e partisë pjesë e së cilës jeni edhe ju, premtuan se nëse do të vij në pushtet do të bëjë gjithçka për të zbardhur këto vrasje politike. A po punon realisht dhe qeveria, e cila udhëhiqet nga LDK në këtë drejtim?
Maloku: Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur unitetin e saj në votën pro Gjykatës Speciale, pikërisht për shkak të vrasjeve politike të zyrtarëve të saj. /Gazeta Blic/