Maloku: Kontrabanduesit po e marrin goditjen e merituar
Gjilan – Jetish Maloku kryeprokuror në Gjilan thotë për rajonipress se kanë arritur të godasin kontrabanduesit duke arrestuar disa persona. Kemi goditur rrjete e grupe trafikantësh, por apelojmë tek qytetarët që të mos bien viktimë e këtyre trafikantëve sepse vija kufitare vëzhgohet nga të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit në Kosovë. Jemi rigoroz ndaj këtyre lëndëve të cilave edhe u kemi dhënë prioritet thotë Maloku.
I pari i prokurorisë themelore në Gjilan shprehet i kënaqur me masat që kanë marrë organet shtetërore për të goditur kontrabanduesit e të gjitha nacionaliteteve. “Po punojmë natë e ditë që tua ndërpresim rrënjët këtyre trafikantëve të cilët po viktimizojnë dhe joshin qytetarët për të kaluar ilegalisht kufijtë administrativë të Kosovës. Kjo rrugë e kontrabanduesve është e rrezikshme dhe për pasojë po pësojnë qytetarët” tha Maloku, raporton rajonipress.
Maloku thotë se trafikimi me qenie njerëzore në Anamoravë ka shënuar rënie, por kjo po zëvendësohet me veprën e kontrabandimit e cila edhe pse është nën vëzhgim të vazhdueshëm megjithatë kontrabanduesit i gjejnë rrugët dhe format e ndryshme për të ardhur deri tek mashtrimi e përfitimi i kundërligjshëm.
Maloku tha se me fenomenin e trafikimit me migrantë po ballafaqohet edhe prokuroria e Gjilanit. “Më 2014 patëm 22 kallëzime penale për 27 persona, prej tyre 17 përfunduan me ngritje të aktakuzës, derisa një person është liruar e katër të tjerë nuk u gjetën prova për ta. Ne jemi të përkushtuar që këto lëndë t`i shtyjmë përpara, po bashkëpunojmë me policinë dhe jemi shumë rigoroz në këto lëndë. Po e kemi të vështirë të ndalim këtë trend, ngase mundësitë për dalje janë maksimale” tha Maloku.
Maloku është i bindur se tani pas marrjes së masave dhe nga shtetet e BE-së trendi i ikjes nga Kosova do të ulet.
Sipas tij në “biznesin” e kontrabandimit funksionojnë shumë mirë shqiptarë e serb. “Unë ju bëjë apel qytetarëve të Anamoravës që të kenë kujdes dhe mos të bien pre e grupeve kriminale sepse të gjitha këto grupe janë nën vëzhgim dhe deri tani kemi arrestuar disa persona. Kontrabanduesit kryesisht vijnë nga Serbia, e qytetet e tjera të Kosovës kurse viktima kryesisht janë qytetarët jashtë Gjilanit. Kontrabandimi është problem ndërkombëtar dhe ne po bëjmë hapat e duhur për të parandaluar këtë dukuri tejet të dëmshme për Kosovën” tha Maloku./rajonipress/


