Eko Higjiena

Maloku: Gjykata Kushtetuese hoqi të gjitha dilemat ekzistuese dhe parandalojë cenimin e pavarësisë së Këshillit Prokurorial të Kosovës

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Jetish Maloku pohon se në këtë kontekst, rrjedhimisht, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës hoqi të gjitha dilemat ekzistuese lidhur me ketë çështje, së pari, duke marrë vendim që të rrëzohet komplet Ligji për Këshillin Prokurorial dhe, së dyti, ajo që ka shumë rëndësi, ka parandaluar cenimin e pavarësisë së KPK-së dhe mundësinë e ndikimeve politike në sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), z.Jetish Maloku,përkitazi me rrëzimin e Ligjit mbi KPK-në, deklaron se publikimi i Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës për Ligjin e Këshillit Prokurorial, të cilin e ka shpallur kundërkushtetues dhe e ka rrëzuar përfundimisht, vërteton plotësisht qëndrimet dhe shqetësimet tona të shprehura publikisht edhe përmes përfaqësuesve të sistemit prokurorial, në mënyrë që ky ligj të mos miratohej si i tillë.

Gjithashtu, kryesuesi Maloku, ka deklaruar se edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, zyrtar të lartë të pushtetit, përkatësisht, nga Ministria e Drejtësisë, vështirë e kanë të pajtohen me këtë vendim të drejtë dhe vendimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Çdo ditë dëgjojmë deklarata, jo vetëm nga kjo Ministri, por edhe zyrtar të tjerë të lart të pushtetit, të cilat shkojnë deri në kontestim të akteve që dalin nga institucioni më i lartë kushtetues, dhe për çudi,vështirë të pajtohen me vendimin e një institucioni, siç është Gjykata Kushtetuese.

Mendoj, se kjo praktikë e deklaruar kundër vendimeve të Gjykatës më të lartë të vendit, është një precedent shumë i rrezikshëm për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

UBT

Kryesuesi Maloku,gjithashtu, thekson se,për hir të transparencës publike, Këshilli, ka shprehur disa herë para opinionit qëndrimin e vet, me anë të deklaratave dhe reagimeve të njëpasnjëshme, për një mbarëvajtje jo të rregullt të procesit të hartimit të Projektligjit të KPK-së dhe për futjen e elementeve dhe propozimeve kundër ligjit, si dhe për nxitimin marramendës të Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë për të proceduar e miratuar ketë Projektligj, pa konsultuar fare draftin final me akterët e këtij procesi, por edhe duke i vendosur mbrapsht shumë komente shtesë nga Opinioni i Komisionit të Venecias.

Gjithashtu, Qeveria nuk vlerësoi fare as propozimet e dala edhe nga Strategjia për Sundimin e Ligjit dhe propozimeve të përfaqësuesve të sistemit prokurorial dhe akterëve të tjerë të sistemit të drejtësisë, gjë që realisht dukej shumë hapur tendenca për të cenuar pavarësinë e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, si institucione të pavarura dhe kushtetuese.

Prandaj, Maloku pohon se në këtë kontekst, rrjedhimisht, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës hoqi të gjitha dilemat ekzistuese lidhur me ketë çështje, së pari, duke marrë vendim që të rrëzohet komplet Ligji për Këshillin Prokurorial dhe, së dyti, ajo që ka shumë rëndësi, ka parandaluar cenimin e pavarësisë së KPK-së dhe mundësinë e ndikimeve politike në sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, me nxjerrjen e këtij vendimi të drejtë, afirmon njëherë e mirë të drejtën kushtetuese kundrejt çfarëdo cenimi politik, që thelbësisht, pastaj cenon edhe pavarësinë e prokurorëve të shtetit dhe përgjithësisht pavarësinë e sistemit prokurorial.

Kryesuesi Maloku, deklaron se mbetemi të përkushtuar për të mbështetur proceset e përgjithshme reformuese në sistemin prokurorial dhe do të bëjmë përpjekje edhe në të ardhmen që së bashku me të gjithë akterët tjerë shtetërorë të vendit, bashkë edhe me mbështetjen e miqve dhe partnerëve tonë ndërkombëtarë, të bashkë iniciojmë çdolloj nisme legjislative dhe nisma të tjera, që kanë për qëllim reformimin e nevojshëm, në mënyrë që të fuqizohet sundimi i ligjit në Kosovë dhe sistemi prokurorial i Kosovës të bëjë punën e vet të pavarur, profesionale, llogaridhënëse e transparente, duke mos u ekspozuar para asnjë lloj ndërhyrjeje apo presioni nga faktorë të ndryshëm, të jashtëm këta apo të brendshëm ka thënë Maloku./rajonipress/