Uji Dea

Maloku: Aksioni në Karaçevë do të vazhdojë, pritet të ketë arrestime të reja

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Kryeprokurori Jetish Maloku thotë se aksioni i Karaçevës pritet të vazhdojë ende dhe shumë shpejt pritet të ketë edhe arrestime të tjera. Në aksionin e Karaçevës pos që është shënuar si aksioni më i madh në Kosovë, kundër grupeve kriminale aty kemi arritur ta kthejmë në normalitet edhe një pjesë të tokës së Kosovës e cila shfrytëzohej nga Serbia e herë nga Kosova, tokë kjo e cila gjithmonë ishte pronë e Kosovës tha Maloku.

Aksioni më i madh i ndodhur ndonjëherë në Kosovë kundër grupeve kriminale dhe aktiviteteve të kundërligjshme të tyre, kishte ndodhur pikërisht në pjesën e përfolur ma së shumti, nga paslufta e këndej, e kjo është Karaçeva, territor që ndanë Kosovën dhe Serbinë, por që biznesi dhe përfitimet e kundërligjshme i bënin bashkë serb e shqiptarë.

Nga burimet tani të sigurta e të konfirmuara edhe nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku, plani për kthimin në normalitet dhe goditja e të gjitha grupeve kriminale të cilët zhvillonin lirshëm aktivitete kriminale, në këtë pjesë të Kosovës kishte filluar në fund të muajit gusht të vitit 2019.

KKVITI

“Ishte planifikuar e zbatuar ky plan me shumë përpikëri e seriozitet sepse nga çlirimi i Kosovës në vitin 1999 e tutje, deri më 18 shtator 2020, llogaritej pronë, sa e Kosovës sipas dokumenteve valide, po aq e Serbisë, sipas Marrëveshjes Teknike të Kumanovës të qershorit të vitit 1999” sqaron Maloku për rajonipress.

“Ka qenë vendimi definitiv i goditjes dhe shumë mirë i planifikuar me kohë,(i Kryeprokurorit, prokurores së rastit dhe ekipit të besuar nga Policia e Kosovës, IPK dhe agjenci tjera të ligjit), i 18 shtatorit 2020, që ka kthyer definitivisht ketë tokë, aty ku e kishte vendin, duke goditur edhe grupet kriminale që manovronin lirshëm në këtë pjesë, kur u arrestuan (35) të dyshuar vetëm në natën e parë të ndërhyrjes, e më pas edhe shumë të tjerë, duke quar në (63 ) të arrestuar, të gjithë për vepra të ndryshme kriminale”.

Maloku thotë se aksioni në fjalë është ende në vazhdim e sipër. “Pritet shpejt të ketë edhe arrestime të tjera. Janë arrestuar, pronar të kazinove, menaxher të tyre, zyrtar policor, kontrabandues të mallrave, pronar të fabrikave për përpunimin e mishit, etj. Janë konfiskuar pasuri materiale e sende me vlerë, e cila është në llogaritje e sipër, e do bëhen edhe hetime financiare për gjithë ata që kanë krijuar pasuri me aktivitete kriminale e të pa ligjshme. Por, në fund të fundit ajo që është më e rëndësishme, e cila nuk thuhet, por është shumë e vërtetë, kjo pjesë e tokës që ishte e Kosovës e që ishte shpallur diskutabile me Marrëveshjen Teknike të Kumanovës të vitit 1999, me mundësi të futjes në agjendë të bisedimeve Kosovë – Serbi, i është kthyer normalitetit dhe shtetit të Kosovës, falë intervenimit dhe goditjes në kohën e duhur dhe vendosmërisë së institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë, për ma shumë nga ata që udhëheqin këto institucione dhe larg pushtetit politik i cili për ma shumë se 20 vite, nuk kishe bërë asgjë për këtë pjesë të Kosovës” tha Maloku./rajonipress/