Fundamenti

Mallrat e dyshimta kërcënojnë biznesin dhe shëndetin e kosovarëve

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

Zyrtarë të institucioneve të shtetit alarmojnë se madje edhe peleti i importuar nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, me të madhe po e rrezikon shëndetin e qytetarëve, ngase ky produkt përmban gomë dhe thëngjill, që kur digjet liron gazra.

Prandaj, analistët me të drejtë pyesin se përse asnjëherë nuk po kontrollohet cilësia e peletit, si dhe artikujve të tjerë të importuar nga institucionet përgjegjëse, por lejohet që të dëmtohet dhe të rrezikohet shumë rëndë shëndeti i qytetarëve. Aktualisht, një pjesë e madhe e banorëve të Kosovës ngrohen me këtë lëndë djegëse dhe çmimi për një tonelatë pelet fillon nga 189 euro deri në 218 euro. Në një përgjigje të shkurtër të zyrtarëve të Zyrës për Informim të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, lidhur me temën që po trajtohet nga ana e gazetës, për atë se çfarë rreziku paraqet peleti i përzier me gomë apo thëngjill për shëndetin e qytetarëve, zyrtarët e tyre thanë se deri tash nuk kanë kryer analiza rreth kësaj çështjeje.” Instituti Kombëtar nuk ka kryer analiza rreth çështjes në fjalë”, thuhet në këtë përgjigje. Me gjithë pyetjen e dërguar të gazetarit në adresën elektronike të Zyrës për Informim të MTIsë, për çështjen që po trajtohet, zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, sipas traditës, nuk kanë dhënë përgjigje.

Shumë qytetarë ngrohen me lëndën e rrezikshme

Ndërsa, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni qeverisës, Enver Hoti (Nisma), për gazetën “Kosova Sot”, thotë se nuk ka asnjë dyshim dhe plotësisht i beson deklaratës së ministrit të Mjedisit, z. Fatmir Matoshi, i cili ka shprehur dyshime se peleti i importuar mund të ketë edhe përbërje të dëmshme, sidomos ai që vjen nga dy shtetet fqinje. “Kjo, sepse peleti i importuar nga Serbia dhe Bosnja, po thuhet se përmban gomë dhe thëngjill, gjë që kur digjet liron gazra”, u shpreh ai. Së këndejmi, Hoti thotë se mbetet një mister i madh se pse asnjëherë deri tash nuk është kontrolluar si duhet cilësia e peletit, si dhe artikujve të tjerë të importuar nga institucionet përgjegjëse, por po lejohet që të dëmtohet dhe të rrezikohet rëndë shëndeti i qytetarëve. “Sepse, aktualisht një pjesë e madhe e banorëve të Kosovës ngrohen me këtë lëndë djegëse dhe çmimi për një ton pelet fillon nga 189 euro deri në 218 euro”, vijoi më tej Hoti. Andaj, deputeti i Kuvendit, Enver Hoti ka thënë se në mënyrë që të kontrollohet cilësia e kësaj lënde djegëse, Kosovës i nevojitet mobilizimi i institucioneve përkatëse, sidomos atyre sanitare, si dhe agjencive të ushqimit e veterinarisë dhe agjencive për mbrojtjen e konsumatorit që për mendimin tim deri më tash nuk kanë qenë në nivel të duhur të detyrës.

Kosova, e vërshuar nga importi

Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën ” Kosova Sot’, thotë se që nga pas lufta Kosova vazhdon të ketë ekonomi të brishtë e të varur nga importi, duke importuar madje edhe pelet për ngrohje, kur kemi aq shumë male dhe ky është një absurd i radhës. “Pothuajse të gjitha produktet importohen nga vende të ndryshme, e sidomos nga Serbia, ndërkaq bilanci ndërmjet importit dhe eksportit vazhdon të jetë në disproporcion të madh edhe për ato pak produkte që eksporton jashtë vendit. Kosova është importuese e shumicës se produkteve që konsumon, dhe kjo është tepër shqetësuese për problemet me produkte të importit, sidomos nga Serbia që, sipas shumë hulumtimeve, janë edhe kancerogjene dhe kompanitë serbe kanë edhe linja të veçantë prodhimi për Kosovë pa kurrfarë standardi”, vlerësoi ai. “Të jesh sot patriot në ekonomi do të thotë të kontribuosh në nxitjen e prodhimit vendor, të stimulosh kërkesën e brendshme për mallra dhe shërbime, të inkurajosh dhe të ndikosh në rritjen e eksporteve, të cilat janë në nivel shumë të ulët në krahasim me importet, duke i bërë kështu mallrat tona më konkurruese”, vijoi më tej Grapci. “Këtë duhet ta bëjë para së gjithash Qeveria dhe çdo sipërmarrës dhe qytetar i përgjegjshëm i vendit tonë. Ashtu siç jemi patriotë me rastin e ndeshjeve të futbollit, duhet ta bartim edhe në sferën ekonomike, t’i duam produktet tona”, ka thënë ai. “Me këtë taksë Qeveria e Kosovës bëri hap pozitiv sa i përket mbrojtjes së prodhimeve vendore, mielli, materiali ndërtimor, dhe pres që ky trend i vënies së rregullit në tregun kosovar të marrë përmasa edhe më të mëdha, thjesht Kosova vetëm po e mbron tregun e saj nga invazioni i mallrave jocilësore serbe, përfshirë këtu edhe peletin nga këto dy vende. Andaj, pres nga Qeveria ‘Haradinaj’ të jetë efikase dhe të mbrojë prodhuesin vendor, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të fuqizohet sektori i prodhimit”, ka potencuar Grapci.

PELETI KANCEROGJEN

FIDANISHTJA

Eksperti i ekonomisë Sejdi Halimi, për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se Qeveria e Kosovës duhet që të ndërpresë importin e peletit nga këto dy vende dhe duhet gjetur alternativa të tjera të furnizimit me pelet, e jo nga Serbia e BH-ja. “Por, e keqja e afaristëve tanë është interesi për të përfituar për veten e tyre pa u interesuar fare për dëmet në shëndetin që mund t’i shkaktojë popullatës një pelet i tillë kancerogjen. Andaj, është e nevojshme që urgjentisht Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me Doganat dhe agjencitë e specializuara të bëjnë testimet e këtyre prodhimeve, duke verifikuar se sa janë të dëmshëm këto prodhime. Madje, nëse është nevoja edhe mostrat e peletit të dërgohen në laboratorët jashtë shtetit tonë në Zagreb apo në Lubjanë. Ngase, peleti përmban edhe materie gome dhe nafte dhe si e tillë është i dëmshëm dhe kancerogjen për qytetarin”, theksoi Halimi.

QEVERITË E NEGLIZHUAN VARËSINË NGA IMPORTI

Ndërsa Ramadan Maloku, anëtarë i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës , për gazetën “Kosova Sot”, tha se derisa gjatë luftës së fundit Serbia e ka vrarë dhe dëmtuar Kosovën dhe popullin e saj përmes makinerisë vrastare të tyre, që 19 vjet po e vranë përmes produkteve jocilësore dhe më e rënda, produkte të destinuara enkas për tregun kosovar, që po prodhon sëmundje kancerogjene dhe kjo vërtetohet që nga pas lufta janë rritur sëmundjet dhe njëherësh vdekjet po nga këto produkte të pakontrolluara dhe kryesisht prej fqinjit verior, kurse tash probleme po kemi edhe me peletin serb dhe atë nga BH-ja. “Vërtet, është për keqardhje se si të gjitha qeveritë e Republikës së Kosovës, që nga pas lufta e deri më sot, kanë bërë shumë pak që përmes masave të reciprocitetit nuk i mbrojtën në masën e duhur mallrat e saj kundrejt mallrave që po importohen nga Serbia dhe BH-ja. Qeveria e Kosovës ka qenë dashur që ta bëjë të njëjtën gjë edhe me të gjitha produktet dhe prodhimet e tjera serbe duke ua ngritur taksën që nga pas lufta me 50 për qind, ashtu si ka vepruar Kroacia me produktet e Serbisë. Sepse, vetëm në këtë mënyrë mbrohen prodhuesit vendorë, e jo që të bëhemi një shtet i varur nga importet, kur dihet se raporti në mes të eksportit dhe importit është 9 me 1 në të mirë të importeve që futen në Kosovë. Ndaj, është për keqardhje se si Kosova tash e 10 vjet po e eksporton paranë e saj kesh në Serbi, ndaj vendimi i Qeverisë për rritje të taksës për 100 për qind është i drejtë. Ndërkaq, tash e tutje ajo që i nevojitet vendit është një mobilizim dhe shumëfishim i kontrolleve nga agjencitë e ushqimit dhe të shëndetit publik në kontrollin e të gjitha mallrave që vijnë, sidomos nga këto dy shtete “, theksoi Maloku.

SERBIA, ME LINJA TË POSAÇME PËR KOSOVËN

Deputeti i dikurshëm i Kuvendi të Kosovës Xhevdet Neziraj, për gazetën ” Kosova Sot’, thotë se ngrohja me pelet nga qytetarët tanë, që ka nisur tash e disa vjet, ishte menduar se mund të jetë një zgjidhje më e mirë sesa ngrohja me thëngjill, mirëpo pas reagimeve të institucioneve tona përgjegjëse për ambientin, doli se ngrohja nga peleti mund të jetë më e rrezikshme. “Andaj, me të drejtë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka ngritur shqetësimet e saj lidhur me peletin që importohet në vend. Dyshimet shtohen kur ky produkt vjen nga Serbia, ngase si dihet ka linja të posaçme të prodhimit dedikuar për Kosovën. Së këndejmi, organet kompetente të Kosovës me të madhe nevojitet që të fokusohen në analizën e këtij produkti për ngrohje që vjen nga Serbia, duke i shtuar kontrollet doganore dhe ato sanitare. Mirëpo, duhet qenë realistë, sepse çdo produkt që vjen nga Serbia për mua është i dyshimtë, andaj kisha apeluar tek popullata jonë që mos të përdorin këto produkte të peletit që na vijnë nga Serbia dhe BH-ja. Fajtorë për këtë varësi në shkallë aq të lartë nga produktet serbe ka ardhur si pasojë e lobimit të fuqishëm të tregtarëve të brendshëm të Kosovës, të cilët biznesin e kanë me Serbinë dhe importin e kanë prej tyre dhe ata kanë lobuar më shumë se ne si prodhues vendi, në mesin e të cilave madje edhe peletin. Andaj, tashmë ka ardhur koha që edhe qytetarët tanë duhet të mësohen pa produktet e Serbisë, të cilat janë shumë të dyshimta”, tha Neziraj.

(Kosova Sot)