Maliqi : Viti 2012 i veçantë për keq menaxhimin e parasë publike

Gjilan – Gjatë vitit 2012 qeverisjen lokale e ka karakterizuar një menaxhim jo i mirë i buxhetit të komunës. Menaxhimi jo i mirë ka të bëjë me shpenzimin e parasë publike gjegjësisht paranë e taksapaguesve të komunës sonë. Këtu para se gjithash ka të bëjë me shpenzimet e tepërta nëpër disa kode buxhetore te kategoria e mallrave dhe shërbimeve e në anën tjetër investime të pakta sidomos në infrastrukturën rrugore (investime në asfaltimin e rrugëve të reja) si dhe në infrastrukturën nën rrugore (kanalizime dhe ujësjellës), trasmeton rajonipress.
Zijadin Maliqi nënkryetar i LDK-së në Gjilan dhe këshilltar komunal të shtunën në një takim me mediet ka dhënë edhe njëherë vërejtjet e tija profesionale rreth menaxhimit të buxhetit komunal për vitin 2012 si dhe të metat e buxhetit për vitin 2013.
Maliqi tha se gjatë vitit 2012 qeverisjen lokale e ka karakterizuar një menaxhim jo i mirë i buxhetit të komunës. “Menaxhimi jo i mirë ka të bëjë me shpenzimin e parasë publike gjegjësisht paranë e taksapaguesve të komunës sonë. Këtu para se gjithash ka të bëjë me shpenzimet e tepërta nëpër disa kode buxhetore te kategoria e mallrave dhe shërbimeve e në anën tjetër investime të pakta sidomos në infrastrukturën rrugore (investime në asfaltimin e rrugëve të reja) si dhe në infrastrukturën nën rrugore (kanalizime dhe ujësjellës)” tha Maliqi.
Sipas tij këtë vit e karakterizon edhe një numër i gjetjeve nga ana e auditorit të Zyrës së Auditimit Gjeneral në pika të caktuara të auditimit.
“Edhe në zyrën e prokurimit janë vërejtur një numër i madh i lëshimeve çka dëshmohet edhe me ankesat e operatorëve ekonomik dhe me vendimet e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Gjithashtu në këtë lëmi ka raste kur një aktivitet i prokurimit është shpallur disa herë, derisa është ardhur deri te zgjedhja e operatorit ekonomik të përshtatshëm për udhëheqjen komunale. Gjithashtu ka raste të ndarjes së aktivitetit ekonomik në njësi më të vogla në mënyrë që të procedohet përmes formës “Ftesë për kuotim” dhe ikjes nga procedura e hapur” ka sqaruar Maliqi.
Maliqi tha se vitin 2012 ,e karakterizon edhe planifikimi i buxhetit për vitin 2013 i cili buxhet është aprovuar pa votën e pjesës më të madhe të opozitës (LDK) sepse ne kemi menduar se nuk është një buxhet në funksion të qytetarëve të komunës sonë. “Kemi të bëjmë me një buxhet ku një pjesë e madhe e mjeteve buxhetore ndahen për kategorinë e mallrave dhe shërbimeve që në krahasim me vitin paraprak rriten për afro 30 % kurse në anën tjetër investimet kapitale zvogëlohen për 21 %. Me këtë buxhet për vitin2013 nuk parashihet asnjë investim i ri as në asfaltim të rrugëve e as në ujësjellës dhe kanalizim” shtoj ai.
Maliqi tha se gjatë vitit 2012 kemi të bëjmë me mosrespektimin e akteve ligjore të cilat i rregullojnë fushat e përmendura më lart siç janë: Ligji i Prokurimit, Ligji mbi Menaxhimin e Financave Publike, Ligjin mbi Financat e Pushtetit Lokal. “Sidomos nuk janë përfill pjesët të cilat kanë të bëjnë me zotimet e mjeteve financiare .Mos zotimi i mjeteve financiare ka ndikuar që nga viti në vit të rriten borxhet e komunës ndaj operatorëve ekonomik”.
Maliqi tha se vërejtjet tona janë dhënë edhe në vonesën e aprovimit të Rregullores mbi Taksat, Ngarkesat dhe Gjobat komunale për vitin 2013, e cila rregullore është dashur të aprovohet para aprovimit të buxhetit sepse rregullorja në fjalë ndikon drejtpërsëdrejti në të hyrat vetanake gjegjësisht në buxhetin e komunës.
Me këto vërejtje profesionale kemi për qellim që qeverisjes komunale t`i sugjerojmë që të kenë kujdes në shpenzimin e buxhetit komunal, të heqin dorë nga disa shpenzime gjegjësisht t`i zvogëlojnë ato për të cilat mendojmë se janë të tepërta dhe se ato mjete financiare t`i orientojnë në investime kapitale të cilat edhe i pret qytetari i Gjilanit tha Maliqi./rajonipress/