Maliqi: Presim të hyra më të mëdha nga Tatimi në Pronë gjatë vitit 2016

Gjilan – Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Zijadin Maliqi, në një konferencë për media, që ka mbajtur sot ka raportuar për punët e kryera në vitin 2015, si dhe përgatitjet e planifikimin për vitin 2016, nga ku ka ftuar qytetarët e Gjilanit që të jenë bashkëpunues në mënyrë që të jenë përfitues dhe informues për faljen e borxheve apo marrëveshjeve për këstet e pagesës së borxhit ndaj Komunës.
Në fushën e raportimit dhe planifikimit gjatë vitit 2015, drejtori Maliqi, ka thënë se gjithçka është bërë në kuadër të planifikimit dhe në bazë të ligjit.
“Në bazë të afateve ligjore gjatë vitit 2015 është bërë raportimit në baza tre – mujore. Gjithashtu është bërë edhe përgatitja e Kornizës Afatmesme Buxhetore dhe e njëjta pas miratimit në Kuvendin Komunal, i është dërguar Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave për miratim. Për herë të parë është përgatitur buxheti i Gjilanit përmes konsultimeve nga qyteti dhe fshatrat, ku kërkesat e qytetarëve janë inkorporuar në planifikimin për vitin 2016. Vetëm për buxhetin janë mbajtur 7 takime publike, prej tyre dy në qytet, katër në fshatra dhe një është mbajtur me këshillat e fshatrave”, ka thënë ndër të tjerash drejtori Maliqi.
Drejtori i Financave, ka thënë se viti 2016 ka bërë që stafi i tij të përqendrohet më shumë në fushën e Tatimit në Pronë, sepse ajo e hyrë është investim për infrastrukturë publike për qytetarin.
“Në masë të madhe Drejtoria i është përkushtuar Tatimit në Pronë. Kemi bërë shpërndarjen e faturave të Tatimit në Pronë për 31 mijë ekonomi familjare apo biznesore. Ndërsa për vitin 2015, kjo Drejtori ka lëshuar mbi 24 mijë vërtetime të ndryshme dhe janë regjistruar 861 objekte të reja”, ka thënë ai në fjalën e tij.
Maliqi poashtu ka bërë të ditur se si Drejtori kishin monitorim nga Auditori i Brendshëm dhe ai i Jashtëm dhe konform raportit të tyre, ky resor shumë i rëndësishëm i Komunës, “nuk ka asnjë brejtje apo rekomandim, prandaj kjo neve na jep fuqi të vazhdojmë edhe më tutje me punë në shërbim të qytetarëve”, ka thënë Maliqi, duke potencuar se në vitin 2016 presin rritje të të hyrave vetanake dhe hapjen e rrugës për realizimin e investimeve./rajonipress/