Maliqi: Mërgimtarët nuk presin për dokumente
Kamenicë – Drejtoria e Administratës së Përgjithshme në Kamenicë ka ndërmarrë hapa konkret për pritjen e bashkatdhetarëve të cilët po vijnë në Kosovë për të kaluar pushimet verore. Drejtori i kësaj drejtorie Valon Maliqi, ka thënë se është rritur volumi i punëve në Qendrën për Shërbime Qytetarëve dhe në veçanti në sektorin e ofiqarisë.
“Ofiqaria do të punojë me orar të zgjatur për sa të vlerësohet e nevojshme për të kryer të gjitha shërbimet ndaj mërgimtarëve, do të eliminohet pauza e drekës nga ora 12 deri në 13” ka thënë drejtori Maliqi.
Tashmë drejtori i administratës së përgjithshme Valon Maliqi ka hartuar planin dhe ai po zbatohet në përpikëri kështu që nuk po vërehen pritje të qytetarëve për dokumente personale.
Drejtoria e Administratës së Përgjithshme, gjithashtu ka krijuar kushte për punë edhe për regjistruesit e angazhuar nga Ministria e Diasporës. “Ne kemi arritur në marrëveshje me Ministrinë e Diasporës që t`u ofrojmë kushte pune regjistruesve të tyre, të cilët këto ditë po punojnë së bashku me stafin tonë për të regjistruar bashkatdhetarët” ka thënë Drejtori Valon Maliqi./rajonipress/


