Malësia e Bujanocit

Teksti dhe muzika : Demir Krasniqi

Mora rrugën, dola n’ maje t’ Sitilisë ,
Këngën seç ia mora n’ tela t’ çiftelisë –
T’ia këndoj nga zemra një këngë Malësisë ,
Djepit t’ krenarisë , luftëtarëve të Lirisë !…

T’ i këndoj nga zemra djepit t’ burrërisë –
Që dha brez pas brezi figura të lavdisë !
Malësisë s’ Bujanocit – djepit t’ historisë ,
T’iu këndoj lëvdata djepave të trimërisë !

T’i këndoj mikpritjes edhe bujarisë ,
Krenarisë shqiptare edhe besnikërisë !
T’iu këndoj nga zemra trimave legjendarë ,
Flamurtarëve t’ luftës – prijatarë shqiptarë !

Do t’ ia këndoj këngën Malësisë s’ Bujanocit –
Për dhuntitë e begatitë që i ka prej Zotit !
Do t’ ia këndoj fshatrat e Malësisë së Vrajës ,
Bukuritë e pasuritë që ia kanë prej rrajës !

Zarbicë , Suharnë , Priboc edhe Novosellë –
T’ gjitha i ka kapluar , sot një krizë e thellë !
17 familje me 87 banorë –
Jetojnë n’ kushte t’ vështira si mali nën borë !

Si në t’ gjitha fshatrat , ashtu në Suharnë –
Banorët e kësaj Malësie gjithkah janë shpërndarë !
Na janë shkapërderdhur më shumë se sa kurrë –
Si shkojnë duke rrjedhur lumenjtë nëpër gurrë !

Seç ka mbet i shkretë ky djepi i nënë Zarifës –
Asnjë nxënës s’ ka mbet në shkollën e Zarbicës !
Ende nuk kanë tretur dy shpresa të nënës –
N’ Novosellë kanë mbetur një mësues me dy nxënës !

N’ Malësi nuk jetohet në këtë jetë prej hileje –
Në Suharnë nuk ka ma nxënës , asnjë familje !
Seç ushton Malësia nga lotët e nënës –
Qysh na mbet Suharna pa prind e pa nxënës ?!

Mëhalla e Tahirajve , ka mbetur pak anës –
Ajo ka një Mësues, bashkë me katër nxënës !

Shkolla e Liteshit, është shkatërruar tërësisht –
N’ te pa asnjë nxënës , jetohet tmerrësisht !

N’ shkollën e Zarbicës , dy nxënës që janë kanë –
Iu shpërngulën familjet , ata ma nuk janë !
Shkolla e Zarbicës , tanimë u mbyll –
Oborri i rrethinës është bërë sikur pyll !

N’ shkollën e Pribocit , asnjë nxënës nuk mbet –
Familja e Hafizit , me tre djemtë e vet !
Mësues Sadik Demiri , lum ai bir i nënës –
N’ fshatin Ramabuqë , e ka vetëm një nxënës !

Mësues Sadik Demiri , djalë prej Ramabuqe –
Do t’ ndihet për s’ miri , der’ te Molla e Kuqe !
N’ shkollë të fshatit Qarr – krenar i kësaj anës –
N’ banka t’ saj kanë mbetur edhe 11 nxënës !

Haj medet , medet , po vajton Gjergjeci –
S’ ka ma asnjë nxënës , që m’ thotë : “Mirë Mëngjesi !”
Shkollë e vetme e plotë , prej fshatrave të kësaj anës –
Është shkolla e Muhocit , me 81 nxënës !

Mejtepi në Malësinë e Bujanocit

N’ Malësi t’ Bujanocit – n’ këtë Malësi kreshnike –
Ekziston Mejtepi , me vlera historike !
Me vlera të larta t’ trashëgimisë kulturore –
N’ Malësi t’ Bujanocit , në fshatrat malore !

Mejtepi i ngritur me vullnet e hatër –
Është ndërtuar n’ vitin 1904 !
Por , pas përfundimit t’ Luftës së Dytë Botërore –
Mejtepi ka shërbyer si një shkollë fillore !

Deri në ndërtimin e shkollës së re n’ këtë jetë ,
Që u ndërtua n’ vitin 1980 –
Mejtepi ka sjellë dritë të arsimimit ,
Por , tash është në gjendje pak para shkatërrimit !

Objektin e Mejtepit , n’ fshatrat e malores –
Tani e ka brejtur tërësisht dhëmbi i kohës !
Me të gjitha forcat duhet t’ ndërmjetësohet –
Ky objekt t’ shpëtohet dhe t’ meremetohet !

Të meremetohet objekti i mejtepit –
Që t’ jetë nën mbikëqyrje të dorës së shtetit !
Është objekti i vetëm , për lutje ndaj Zotit –
N’ Bashkësi të Zarbicës edhe të Muhocit !…

T’ rregullohen shkollat n’ gjithë fshatrat n’ këto anë –
Që ishin paralele të shkollave amë :
Në Suharnë , Novosellë , Priboc e Litesh ,
Në Qarr , Ramabuqë edhe në Gjergjec !…

Gjilan, më 05.11.2018.
Demir Krasniqi

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).