Uji Dea

Malcolm e quan “gabim” presionin e BE-së ndaj Kosovës: Serbia mban raporte të afërta me Rusinë dhe Kinën

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Noel Malcolm, historiani i njohur britanik është duke dhënë një intervistë në Pressing të T7, ku tha se është gabim presioni i BE-së ndaj Kosovës.

Ai e vuri në pah faktin se Serbia mban lidhje të afërta me Rusinë e Kinën.

“Nuk mendoj se ka ndonjë armiqësi themelore ndaj Kosovës, por mendoj se është thjesht strategji politike seriozisht e gabuar. Po them strategji, mendoj se është më shumë se taktikë afatshkurtër, është strategji politike, e mbështetur në idenë se Serbia është disi shteti më i rëndësishëm në Ballkan. Mendoj se kjo është shumë e diskutueshme”.

UBT

“Mbështetet pjesërisht në idenë se Serbia e dëshiron fort anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe se, në aspektin afatgjatë, kjo nxitje duhet ta ketë efektin e saj dhe ata disa e marrin si të mirëqenë bashkërendimin afatgjatë me Serbinë. Mendoj se kjo është shumë e dyshimtë. Mbështetet edhe në idenë se nëse ata thjesht mundohen t’i shtyjnë ato që i quajnë marrëveshje teknike dhe ato që i mendojnë si një numër i çështjeve teknike të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, se bërja gjithnjë e më shumë e kësaj do të sjellë me vete frymë të re bashkëpunimi, frymë të re normalizimi mes dy palëve dhe se vetëm duke vazhduar me këto çështje të nivelit relativisht të ulët, ndërtohet psikologji tjetër, ku Serbia do ta pranojë Kosovën si të barabartë dhe kjo është tërësisht e gabuar, shohim se është e gabuar, sepse Serbia e ka axhendën e vet”.

“E ka axhendën e vet në të tria këto gjëra, shtuar kësaj, siç thashë, lidhjet e saj të forta me Moskën. Mendoj se do të vijë një moment, kur BE-ja do të duhet t’i thotë Beogradit: “Shiko, ke një zgjedhje: a dëshiron që përfundimisht t’i bashkohesh BE-së, apo dëshiron që ta mbash pretendimin tënd për territorin e Kosovës? Nuk mund t’i kesh të dyja, duhet të zgjedhesh mes tyre.” Nuk besoj se ata e kanë paraqitur pyetjen kaq thjesht – ende – para Serbisë, por përderisa vazhdojnë që të dështojnë përpjekjet e tyre për ta kontrolluar Serbinë me këto supozime të rreme dhe edhe pasi i kanë dhuruar Serbisë koncesione njërin pas tjetrit, ata shohin se kanë dështuar, nuk po e marrin rezultatin që e duan, në fund do të detyrohen që t’ia bëjnë atë pyetje”.

“Nëse Serbia thotë “ne më parë do ta mbajmë pretendimin tonë ndaj Kosovës”, në atë pikë BE-ja mund t’i ndërpresë përpjekjet për ta kënaqur Serbinë, sepse e di se nuk po arrin askund me ato taktika, pastaj mund të provojë një strategji tërësisht tjetër”.