RCCOLA

Makolli: Duhet të përfaqësohet diaspora në Kuvend

/ 2 minuta lexim

Ministri i Diasporës (MD), Ibrahim Makolli, ka ripërsëritur qëndrimin e tij se përfaqësimi i diasporës në Kuvendin e Kosovës është interes shtetëror dhe kombëtar. Sipas Makollit, kjo çështje mund të rregullohet deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Ai ka vlerësuar se ky përfaqësim do të ndikonte në lidhjen e drejtpërdrejtë të diasporës me Kosovën. Makolli ka bërë me dije se brenda dy vjetësh do të dihet saktë numri i shtetasve të Kosovës që jetojnë në diasporë

Ministri i Diasporës (MD), Ibrahim Makolli, ka thënë se ka kohë të mjaftueshme që deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të rregullohet çështja e përfaqësimit të diasporës në Kuvendin e Kosovës. Ai në këtë intervistë për “Epokën e re” ka ripërsëritur qëndrimin e tij se përfaqësimi i diasporës në Kuvendin e Kosovës është në interes të shtetit.

Mobi Casa

Makolli ka pranuar se diaspora ka qëndrime të ndryshme për sa i përket këtij përfaqësimi. “Në mërgatë nuk ka një mendim unik për sa i përket kësaj çështje. Disa prej tyre vlerësojnë se duhet të ketë përfaqësim të mërgatës e disa janë kundër për shkak se ata mendojnë se duhet të votojnë për kandidatë për deputetë që janë brenda”, ka thënë Makolli, duke shtuar se kjo çështje duhet të studiohet në detaje.

Ministri i MD-së ka bërë me dije se brenda dy vjetësh do të dihet numri i shtetasve të Kosovës që jetojnë në diasporë. “Kemi paraparë që ky proces të zgjasë dy vjet. Pas dy vitesh mund të dimë sa është numri i saktë i mërgatës. Mënyra e regjistrimit të mërgatës do të bëhet në disa forma: online (internet), në ambasada, gjatë qëndrimit të mërgatës në Kosovë dhe do t’i përdorim shënimet që i kemi në MPB dhe MPJ etj”, është shprehur Makolli.