Mahmuti: Policia është rritur e profesionalizuar për 14 vite

Gjilan – Elmina Mahmuti komandante rajonale e policisë në Gjilan për rajonipress flet për punën e policisë në Anamoravë, rezultatet dhe sfidat që e presin atë.
Për 14 vite jemi rritur, jemi zhvilluar e profesionalizuar në të gjitha aspektet. Kemi më shumë kompetenca, kemi më tepër pajisje dhe infrastrukturë. Kështu vlerëson Elmina Mahmuti komandante rajonale e policisë në Gjilan.
Mahmuti tha për rajonipress se ndihet krenare që për këto 14 vite të Policisë së Kosovës ka arritur që në Gjilan e Anamoravë të ketë një stabilitet politikë e të sigurisë.”Në Anamoravë e në veçanti në Gjilan kemi klimë të mirë ndëretnike. Gjilani është shembull model për lëvizje të lirë dhe bashkëjetesë dhe qytet model edhe për Kosovën” mendon ajo.
Mahmuti tha se krimi në përgjithësi në Anamoravë ka shënuar rënie derisa sfiduese për policinë mbetet trafiku i çrregulluar në qytet. “Në të ardhmen duhet të punohet më shumë me rininë për të eliminuar dhe parandaluar dukuritë negative. Ne megjithatë jemi të kënaqur me bashkëpunimin e ngushtë me qytetarët të cilët po raportojnë për krimin” tha Mahmuti.
Mahmuti tha se ka dhënë efekt policia në bashkësi. Sipas saj policia në Gjilan ka staf të mjaftueshëm, edhe pse problem mbetet mosha.”Policia po plaket dhe na duhen njerëz të rinj dhe efektiv sepse mosha mesatare aktualisht është mbi 40 vjeçare” tha Mahmuti.
Ajo thotë se në policinë e Gjilanit integrimi ka ndodhur me kohë dhe këtu tani ka turq, romë, boshnjak, serb etj. /rajonipress/